Reforma zgjedhore në duart e Ramës dhe të Berishës
Eljona Ballhysa
Dy liderët e partive të mëdha politike, Rama dhe Berisha, kanë bllokuar negociatat për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Burime nga Komisioni Parlamentar për ndryshimet në Kod kanë bërë të ditur për gazetën se reforma zgjedhore ka mbetur pezull për shkak se dy krerët e partive të mëdha parlamentare kanë bllokuar diskutimet në dy çështje të rëndësishme. Kështu palët nuk kanë rënë dakord për koalicionet e përbëra si dhe për ndarjen e zonave elektorale. Nuk bëhen ende të qarta qëndrimet e secilës palë, por bëhet e ditur se puna e komisionit parlamentar ka ngecur pikërisht sepse Berisha dhe Rama nuk kanë rënë në një mendje për dy çështjet e lartpërmendura. Sipas burimeve, dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar, Rusmali dhe Xhafa, janë dakord me propozimet e grupit të ekspertëve, por puna ka ngecur se dy të mëdhenjtë nuk kanë dhënë ende “bekimin” që ndryshimet të miratohen në komision. Në rast se Rama dhe Berisha do të gjenin gjuhën e përbashkët për këto dy çështje, komisioni, i cili pritet të mblidhet në ditët në vijim, ka vetëm një gjysmë ore punë për të përfunduar reformën e shumëpritur zgjedhore.
Propozimet
Mësohet se Partia Socialiste mbështet futjen në zgjedhje me koalicione të përbëra. Ideja e koalicioneve të përbëra është pikërisht bashkëpunimi i partive të vogla me një parti të madhe, ku çdo parti futet në zgjedhje me siglën e saj, me programin e saj dhe me listën e saj të kandidatëve për deputetë. Në rastin e koalicionit të përbërë, votuesit, krahas koalicionit, zgjedhin edhe partinë në momentin e votimit. Në këtë rast, llogaritjet e vendeve në Kuvend, është propozuar nga PS-ja që të kryhet në dy faza. Së pari të llogariten vendet e fituara nga koalicioni mbi bazën e votave të fituara nga i gjithë koalicioni. Dhe së dyti, vendet e fituara nga koalicioni t’i shpërndahen çdo partie në përbërje të tij, sipas votave të fituara nga secila parti. Ende nuk dihet qëndrimi i Partisë demokratike për këtë propozim të PS-së. Një tjetër çështje për të cilëa palët nuk kanë rënë dakord është ndarja e zonave elektorale. Në Kushtetutë, me përcaktimin e sistemit të ri zgjedhor, proporcional zonal, është miratuar që vendi të ndahet në 12 zona zgjedhore në bazë dhe të numrit të qarqeve. Por sipas burimeve në Kodin Zgjedhor do të jepen detaje sesi do të përcaktohen qendrat e votimit në këto zona dhe sa do të jetë numri i deputetëve që do të dalë nga një zonë zgjedhore. Pikërisht këto detaje teknike nuk janë vendosur ende nga dy njerëzit kryesorë të politikës në vend, Rama dhe Berisha.
Komisioni
Komisioni i posaçëm Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor miratoi pak kohë më parë një draft me disa pika që kishin të bënin me listat e zgjedhësve, me periudhën se kur do të zhvillohen zgjedhjet, heqjen e certifikatave nga procesi i votimit, si dhe me mënyrën e futjes së partive në garën elektorale. Komisioni i posaçëm zgjedhor për Reformën Zgjedhore ka miratuar që në zgjedhjet e ardhshme të votohet me karta identiteti dhe nuk do të lejohen në asnjë mënyrë votimi me certifikata. Palët kanë rënë dakord që të votohet vetëm në një fletë votimi ku votuesi do të siglojë votën vetëm mbi partinë që dëshiron të votojë. Vota e kësaj partie, së bashku me votat që kanë marrë partitë që konkurrojnë brenda të njëjtit koalicion, do të nxjerrë rezultatin përfundimtar të koalicioneve në zgjedhjet e ardhshme. Çështjet e miratuara deri tani nga komisioni dhe që nuk janë më pjesë e debateve politike janë: parimet e përgjithshme dhe struktura e Kodit Zgjedhor, listat e zgjedhësve dhe mënyra e hartimit të tyre, periudha zgjedhore dhe mënyra e caktimit të datës së zgjedhjeve, materialet zgjedhore, fletët e votimit, shpërndarja e tyre, si dhe procedura e votimit. Po kështu është vendosur dhe për mënyrën e shpërndarjes së mandateve në Kuvend. Sipas skemës, fitues janë deputetët që janë të parët në listën e një partie e cila merr më shumë vota. Përsa i përket çështjes së listave të zgjedhësve, do të jetë vetëm një ekstrakt i regjistrit elektronik të gjendjes civile ku sanksionohet përfundimisht se zgjedhësi voton vetëm aty ku ka vendbanimin e tij.
25 Shtator 2008