E Hënë, 2 Nëntor 2026

Regjistrimet në universitet, 203 studentë në “Fan Noli” në Korçë

Rreth 203 studentë janë regjistruar në programet që ofron Universiteti “Fan Noli” në Korçë, gjatë tre ditëve të para pas nisjes së këtij procesi. Ashtu si në vitet e kaluara, programet në të cilat janë plotësuar kuotat kanë qenë Edukimi Fizik dhe Sportet, ndërsa një numër i konsiderueshëm studentësh është regjistruar edhe në Fakultetin e Infermierisë.

Të dhënat bëhen të ditura nga Artur Prifti, Drejtor i Kurrikulës, i cili thotë se ka një numër të lartë regjistrimesh edhe në disa programe të tjera.

“Deri në këto momente janë regjistruar rreth 203 studentë në programet e studimit që ofron Universiteti “Fan Noli”. Programet Edukimi Fizik dhe Sportet janë ndër më të preferuarat. Gjithashtu, me një numër të lartë regjistrimesh vijon edhe programi i Infermierisë. Do të veçoja edhe disa programe të tjera që kanë pasur interes të mirë, si Financë-Kontabilitet, Gjuha Angleze, Inxhinieri Informatike, si edhe Teknologji Informacioni. Edhe në programin e studimit të Fakultetit të Bujqësisë ka studentë të regjistruar,” tha Prifti.

Megjithatë, deri tani ka ende disa programe studimi ku nuk është regjistruar asnjë student, siç janë: Gjuha dhe Kultura Frënge, Gjuha dhe Letërsia Shqipe, si edhe Gjuha e Pakicave.

Pas mbylljes ditën e sotme të fazës së dytë 48-orëshe, do të pasojnë edhe pesë faza të tjera regjistrimi, deri më 11 shtator, kur përfundon raundi i parë i regjistrimeve në universitete.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›