Rekomandimet e reja për luftën kundër krimit, Gogu: Hetime më të forta ndaj evazionit fiskal dhe krimit online

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paraqitur sot (2 qershor) një paketë të re rekomandimesh për forcimin e luftës kundër kriminalitetit gjatë vitit 2026, në një takim me drejtuesit më të lartë të sistemit të prokurorisë në vend.
Gogu theksoi se rekomandimet e këtij viti janë ndërtuar mbi tetë fusha kryesore, të harmonizuara me procesin e integrimit europian dhe kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian, që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Sipas tij, kjo qasje synon të krijojë një metodologji të unifikuar dhe më efikase për adresimin e kriminalitetit dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë.
Ministri u ndal edhe te analiza e zbatimit të rekomandimeve të vitit 2025, duke vlerësuar disa përmirësime në punën e prokurorive, përfshirë rritjen e hetimeve dhe reduktimin e çështjeve të prapambetura.
Për vitin 2026, Gogu identifikoi tre prioritete kryesore me karakter strukturor. I pari lidhet me evazionin fiskal, të cilin ai e cilësoi si një kërcënim për konkurrencën e ndershme dhe stabilitetin ekonomik, duke kërkuar hetime më proaktive dhe bashkëpunim më të fortë ndërinstitucional.
Prioriteti i dytë është krimi kibernetik dhe format e reja të kriminalitetit, ku sipas ministrit grupet kriminale po përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara, përfshirë kriptovalutat dhe sulmet ndaj infrastrukturave digjitale. Ai kërkoi ngritjen e njësive të specializuara dhe investime në kapacitete teknologjike.
Si fushë e tretë prioritare u veçua siguria rrugore, me fokus në rritjen e ndjekjes penale për drejtimin e automjeteve në gjendje të dehur, nën ndikimin e narkotikëve apo pa leje drejtimi.
“Evazioni fiskal për të gjithë neve besoj se nuk është thjesht një çështje tatimore, besoj se është një shtyllë e rendit ekonomik të vendit dhe konkurrencës së ndershme. Kur biznesi i ligjshëm paguan tatimet dhe ai paligjshëm jo tregu deformohet, shteti rëndohet financiarisht dhe dëmtohet. Në pozicionin negociues të BE-së theksohet qartë se informaliteti i lartë ekonomik dhe dobësitë e zbatimit ligjor kufizojnë funksionin efektiv të ekonomisë së tregut. Rekomandimet e vitit 2026 e trajtojnë evazionin fiskal si prioritet penal, mbrojtje të interesit financiar të shtetit dhe garantim të konkurrencës së ndershme. Kjo do të kërkonte edhe intensifikimin e hetimeve nga prokuroritë, hetimet proaktive dhe bashkëpunim ndërinstitucional të strukturuar. Juve jeni dëshmitar sepse jeni luftëtarët e ballit të luftës ku keni dëshmuar se kriminaliteti ka evoluar me shpejtësi të pazakontë. Pastrimi i parave bëhet me kriptovaluta, mashtrimi bëhet online, infrastrukturat publike sulmohen digjitalisht, grupet kriminale përdorin teknika gjithnjë më të sofistikuara komunikimi dhe pastrimi duke vepruar njëkohësisht në shumë juridiksione. Në rekomandimet e vitit 2026 kërkojmë ngritjen e njësive të specializuara brenda prokurorisë, investime teknologjike dhe trajnime të vazhdueshme”, deklaroi Gogu.
Ky i fundit theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit për rritjen e efektivitetit të hetimeve dhe parandalimit të ngjarjeve me pasoja të rënda.
Duke iu referuar rezultateve të vitit 2025, ministri deklaroi se janë shënuar disa tregues pozitivë, përfshirë rritjen e numrit të procedimeve të reja nga SPAK, uljen e çështjeve të prapambetura dhe rritjen e vlerës së aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara.
“Kam parasysh këtu hetimet e nisura kryesisht në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Mbeten ende nën potencialin që kanë zyrat e prokurorisë, hetimet financiare paralele kanë nevojë për intensifikim dhe konfiskimet përfundimtare kanë nevojë për vëmendje të shtuar’, theksoi ai.
Gogu nënvizoi më tej ndarjen e qartë të kompetencave mes institucioneve, duke theksuar se Ministria e Drejtësisë harton politikat dhe rekomandimet, ndërsa prokuroria ushtron pavarësinë e saj kushtetuese në ndjekjen penale.
Ai bëri të ditur gjithashtu se do të formalizohet një protokoll i ri për shkëmbimin periodik të të dhënave mes Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK, me synim rritjen e transparencës dhe koordinimit institucional.
Në prezantim ishin të pranishëm Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kreu i SPAK Klodian Braho, si dhe drejtues të prokurorive të rretheve, në një diskutim të fokusuar mbi prioritetet e politikës penale dhe sfidat e reja të kriminalitetit.
/rtsh.al/