Rëndohet situata në Qafë-Thanë/Drejtuesit e kamionëve vijojnë të jenë të bllokuar, shoferi turk gatuan në automjet

Drejtuesit e kamionëve vijojnë të jenë të bllokuar duke pritur në radhë prej ditësh për të kaluar kufirin në pikën kufitare të Qafë-Thanës, si pasojë e shembjes së rrugës në aksin Librazhd-Përrenjas.
Sipas disa kamionistëve turq, ata kanë dy deri në tre ditë që qëndrojnë të bllokuar, në pritje të lëvizjes së kolonës.
Ata shprehen se janë përballur me mungesë ushqimi, uji dhe kushte bazike, ndërsa situata bëhet edhe më e vështirë për shkak të qëndrimit të zgjatur në kabinat e kamionëve.
Shumë prej tyre theksojnë se kanë familje dhe fëmijë që i presin në shtëpi, ndërsa vonesat e gjata u shtojnë stresin dhe pasigurinë.
Një prej kamionistëve turq është parë duke gatuar pranë mjetit të tij në kushte të improvizuara, mes kamionëve të rreshtuar, duke u përpjekur të sigurojë një vakt të ngrohtë pas orëve të gjata të pritjes.
Pamjet tregojnë vështirësitë me të cilat po përballen drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, ndërsa radha vijon të lëvizë me ritme të ngadalta.
/rtsh.al/