Republika Sërpska kërkon “ndarje paqësore”, entiteti serb njofton për shkëputje me marrëveshje nga Bosnje dhe Hercegovina

Në 30 ditët e ardhshme, Qeveria e Republikës Sërpska (RS) do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”. Kështu u shpreh kryeministri i entitetit serb, Radovan Vishkoviç, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Sërpska në Srebrenicë këtë të enjte. “Kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje.
Ndarja paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Ne do të ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviç, pa dhënë detaje të tjera për hapat që do të ndërmarrin. Në mbledhjen e ekzekutivit pjesë mori poashtu edhe Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, i cili në një konfernecë për shtyp iu drejtua mediave duke thënë: “Dëgjoni mirë. Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid”. Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.
Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.
Propozuesit zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda. Mbështetje për të, deri më tani, kanë shprehur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska. Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.
/RTSH/