Reshje dëbore në zonat malore të Shkodrës, Beci: Akset rrugore të hapura, borëpastrueset në terren

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Pranvera këtë fundjavë ka zgjedhur të vijë ndryshe në zonat malore të Shkodrës, duke dhuruar një kontrast të rrallë që i jep maleve një bukuri edhe më të veçantë.
Reshjet e borës kanë zbardhur mëngjesin e sotëm Thethin, Bogën, Kelmendin, Lëpushën dhe Vermoshin duke rikthyer një panoramë dimri në mes të stinës së lulëzimit.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci informoi sot se akset rrugore mbeten të hapura dhe borëpastrueset janë në gatishmëri të plotë në terren.
Beci fton vizitorët të kalojnë këtë fundjavë në zonat malore të Shkodrës.
“Kjo është një fundjavë perfekte për turizmin malor, për ata që duan të përjetojnë natyrën në një tjetër dimension, mes borës dhe pranverës që bashkëjetojnë në të njëjtën pamje”, tha Beci.
Temperaturat e ulëta kanë rikthyer gjatë orëve të natës reshjet e dëborës në një pjesë të vendit tonë.
/k.s/r.e/a.f/