E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshje të dendura shiu përmbytin rrugët e Himarës, Bashkia thirrje qytetarëve: Shmangi lëvizjet, qëndroni në mjedise të sigurta

Një situatë shqetësuese është krijuar në Himarë si pasojë e reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë zonën që prej orëve të para të mëngjesit, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë dhe zona të qytetit.

Sipas Bashkisë së Himarës, intensiteti i lartë i reshjeve ka sjellë vërshimin e përrenjve, të cilët kanë dalë nga shtrati dhe kanë përmbytur rrugë dhe mjedise të tjera publike e private.

Bashkia u ka bërë thirrje banorëve që të shmangin çdo lëvizje të panevojshme, si me automjete ashtu edhe në këmbë, për të garantuar sigurinë e tyre.

Gjithashtu, qytetarëve u është kërkuar të qëndrojnë në ambiente të sigurta deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Bashkia bën të ditur se strukturat e saj, së bashku me mjetet dhe punonjësit, ndodhen në terren dhe po punojnë për zbutjen e pasojave të motit të keq dhe parandalimin e dëmeve në pronën publike dhe private.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›