Reshjet e dëborës/ Policia rrugore: Në Qafë Thanë nuk do lejohet kalimi i kamionëve për tri orë, pajisuni me zinxhirë

Reshjet e dëborës kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore në vend, kryesisht në zonat malore në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe Sarandë.
Policia rrugore u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes gjatë lëvizjes dhe të pajisen me zinxhirë e goma dimërore.
Po ashtu, policia ka bërë me dije se në Qafë Thanë, për një periudhë kohore rreth 2-3 orë nuk do lejohet kalimi i kamionëve derisa rruga të pastrohet nga borëpastruesja në tokën maqedonase.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme ndodhen në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në rast nevoje.
“Apel për kujdes për të gjithë përdoruesit e rrugës!
Për shkak të reshjeve të borës, qarkullimi është vështirësuar në disa akse rrugore, kryesisht në zonat malore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe në Sarandë.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme janë në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në rast nevoje.
Policia bashkëpunon me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktore, me qëllim pastrimin e rrugëve nga bora dhe shpërndarjen e kripës . Puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve vijon në mënyrë intensive.
Në Qafë Thanë, nuk do lejohet kalimi i kamionëve (rreth 2-3 orë) derisa rruga të pastrohet nga borëpastruesja në tokën maqedonase.
Policia Rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve të:
bëjnë kujdes gjatë lëvizjes,
respektojnë sinjalistikën rrugore
pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore,
ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/