Reshje dëbore në Qarkun Dibër, qarkullim i vështirë në akset malore, probleme në Rrugën e Arbrit

Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë orëve të fundit qytetin e Bulqizës dhe zonat malore të Qarkut Dibër, duke sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave.
Dëbora ka mbuluar rrugët dhe fshatrat, ndërsa në disa akse malore qarkullimi po kryhet me vështirësi.
Sipas të dhënave, rrugët nacionale janë të hapura, por problematika janë evidentuar në Rrugën e Arbrit, konkretisht në aksin Fushë-Bulqizë, në Qafën e Buallit, ku drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar.
Trashësia e dëborës në qytetin e Bulqizës ka kaluar 10 cm, ndërsa në zonat më të thella malore arrin nga 20 deri në 25 cm.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në zonat me lartësi të madhe. Ndërkohë, shërbimet e emergjencës dhe borëpastrimit ndodhen në terren dhe po punojnë për të mbajtur rrugët të hapura dhe të kalueshme.
/rtsh.al/