E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet e dëborës, vështirësi në qarkullimin e mjeteve në Qafën e Skërficës

Rënia e ndjeshme e temperaturave ka krijuar probleme në zonën e Rrëzomës, në Delvinë. Si pasojë e reshjeve të dëborës, në Qafën e Skërficës janë shënuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve.

Në terren ndodhen forcat e Policisë, të cilat po drejtojnë qarkullimin e automjeteve në aksin me drejtim tunelin Delvinë–Kardhiq. Sipas informacioneve të siguruara nga RTSH, një borëpastruese është angazhuar për pastrimin dhe hapjen e rrugës.

Ndërkohë, Policia e Sarandës bën me dije se, për shkak të bllokimit të rrugës së Kardhiqit dhe pamundësisë së lëvizjes së mjeteve, është vendosur të mos lejohet kalimi i automjeteve edhe nga drejtimi tjetër.

Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën edhe në Qafën e Muzinës, ndërsa u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e policisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›