E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet e shiut, bllokohen disa segmente rrugore në qarkun Gjirokastër, mungesë energjie në Kurvelesh dhe Lazarat

Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet deri në mesatar, disa segmente rrugore në qarkun Gjirokastër kanë mbetur të bllokuara, ndërsa strukturat vendore vijojnë punën për normalizimin e situatës.

Problematikat kryesore janë evidentuar në bashkitë Libohovë dhe Gjirokastër, ku po vazhdojnë punimet për hapjen e rrugëve të dëmtuara nga reshjet.

Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha rrugët kombëtare janë të qarkullueshme dhe nuk paraqesin rrezik për lëvizjen e mjeteve.

Ndërkohë, raportohet mungesë e energjisë elektrike në njësinë administrative Kurvelesh, bashkia Tepelenë, si dhe në një pjesë të fshatit Lazarat, njësia administrative Lazarat, bashkia Gjirokastër. Ekipet përkatëse janë në terren për rikthimin e furnizimit.

Furnizimi me ujë të pijshëm vijon të jetë i pandërprerë në të gjithë qarkun. Prefektura bën me dije se mbetet në kontakt të vazhdueshëm me strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për të monitoruar situatën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›