E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet e shiut dhe dëbora krijojnë problematika në disa qarqe, Gjirokastra më e prekura me disa fshatra të bllokuar

Reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta, kanë krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.

Sipas Agjencisë Kombëtare e Mbrojtjes Civile, qarku i Gjirokastrës është edhe zona më problematike. Në Bashkinë Gjirokastër raportohet prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino në aksin Gjirokastër–Tepelenë i është afruar trupit të rrugës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Ndërhyrje po kryhen edhe në disa fshatra të njësive Odrie, Lunxhëri dhe Zagori, ku janë bllokuar akse rrugore dhe një urë e vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë.

Në Bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa po punohet për lirimin e akseve Pogon–Dropull dhe Zagori–Libohovë, të bllokuara nga dëbora. Problematika vijojnë edhe në aksin Përmet–Dogana e Tre Urave, si dhe në njësinë administrative Frashër dhe fshatrat përreth. Në Bashkinë Memaliaj raportohet përmbytje e tokave bujqësore nga lumi Vjosë, ndërsa në Tepelenë qarkullimi në aksin Tepelenë–Gjirokastër realizohet vetëm me një korsi në zonën “Shkalla e Zezë”.

Qarku Lezhë është përfshirë nga reshje dëbore edhe në zona të ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbajtjen hapur të akseve rrugore, ndërsa është përfunduar riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë.

Në Qarkun Vlorë situata paraqitet më e përmirësuar sa i përket prurjeve të lumit Vjosë. Nënkalimi në fshatin Bishan mbetet i bllokuar, por nuk raportohen banesa të përmbytura, vetëm prezencë uji në oborre.

Qarku Elbasan po përballet me reshje dëbore dhe ngrica në zonat malore të bashkive Elbasan dhe Peqin, ku disa akse rurale janë bllokuar nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Mjetet dhe punonjësit janë në terren për normalizimin e situatës.

Ndërkohë, Qarku Dibër mbetet një nga zonat më të prekura. Forcat e emergjencave civile po punojnë në disa akse me prezencë akulli dhe rrëshqitje dherash, ndërsa ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë. Disa segmente rrugore janë aktualisht të pakalueshme, por policia ndodhet në terren për orientimin e qarkullimit.

Forcat e Armatosura, strukturat e mbrojtjes civile, Policia e Shtetit dhe shërbimet bashkiake, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, vijojnë të jenë të angazhuara në terren me mjete dhe personel për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›