Reshjet intensive/ Emergjencat Civile në Fier: Vjosa po arrin pikët kritike te “Ura e Mifolit”, kemi lajmëruar banorët

Niveli i lumit Vjosa në “Ura e Mifolit” në Fier po i afrohet kuotës kritike prej 7.5 metrash. Prurjet janë rritur pas reshjeve të natës së kaluar në Gjirokastër dhe Vlorë, ndërsa lumi i Shushicës, që bashkohet me Vjosën në zonën e Cakranit, po shton prurjet në lumë.
Kreshnik Ymeraj nga Emergjencat Civile u shpreh se janë njoftuar banorët dhe njësitë tregtare që operojnë përgjatë lumit Vjosa, si dhe ata në zonat bregdetare të Darëzezës, për evakuime të mundshme në rast se niveli i lumit kalon kufirin kritik.
“Situata e prurjeve është kritike. Lumi Vjosa ka rritur ndjeshëm prurjet gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit. Aktualisht niveli në Ura e Mifolit është 7-7.5 metra. Reshjet në Gjirokastër dhe Vlorë po shtojnë rrezikun, ndërsa lumi Shushica është një nga faktorët që po rrit prurjet në lumë. Strukturat përkatëse monitorojnë situatën në terren dhe janë marrë masa për të njoftuar komunitetin, fermerët dhe bizneset përgjatë rrjedhës së lumit”, tha Ymeraj.
Pikat më të rrezikuara janë fshatrat Karshisht, Çerven dhe Ferras. Megjithatë, në zonat e tjera bujqësore dhe në lumin Seman situata është aktualisht nën kontroll, dhe niveli i ujit është në kuota normale.
/rtsh.al/