E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet shkaktojnë problematika në disa akse të Qarkut të Korçës, strukturat në terren

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Strukturat përgjegjëse të Qarkut Korçë vijojnë monitorimin e situatës së krijuar prej reshjeve intensive. Prefekti i Korçës, Nertil Jole ka ftuar qytetarët të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, sa i përket problematikave të krijuara.

Nga raportimet e orëve të fundit, bëhet e ditur se në fshatin Dardhas, pranë varrezave, ka rrëshqitje të rrugës dhe aksi është bërë i pakalueshëm. Ndërkaq po punohet për krijimin e një bypass-i për të siguruar kalueshmërinë për komunitetin e 5 fshatrave që lidhen nga ky aks. Lumenjtë e zonës kanë prurje, por janë nën kontroll, me përjashtim të lumit të Starovës, i cili ka dalë në dy anët e rrugës.

Në segmentin e fshatit Zëmçë, pranë aksit Qafë Plloçë–Qukës, ka prezencë inertesh në rrugë dhe njësia administrative Trebinjë po merr masa për pastrimin dhe rikthimin në normalitet.

Në fshatrat Çiflig dhe Shamoll (Nj. A. Bulgarec) ka prani uji pranë disa banesave, por niveli i ujit është në rënie dhe aktualisht nuk paraqet rrezik. Rruga për në fshatin Denas (Nj. A. Lekas) është e pakalueshme për shkak të prurjeve të përroit. Pas stabilizimit të situatës do të kryhet pastrimi për rikthimin e qarkullimit.

Në Progër (Devoll) niveli i ujit mbetet problematik, por kanalet janë të pastruara dhe niveli i ujit është në rënie. Qendra e fshatit Progër është e pakalueshme për mjetet e vogla. Në Mançurisht ka bllokim të kanalizimeve dhe punonjësit janë në terren për normalizimin e situatës.

Në aksin Lozhan–Moglicë–Gramsh ka pasur shkarje dherash dhe inertesh. Është ndërhyrë nga kontraktori dhe rruga është aktualisht e kalueshme.

Në aksin Maliq–Kufi Gramsh ka rënie gurësh dhe dherash dhe po punohet për pastrimin e karrexhatës.

Në aksin Ersekë–Leskovik, në vendin e quajtur “Gropat e gëlqeres”, ka rënie të rrugës. Subjekti i mirëmbajtjes po kryen punime mirëmbajtjeje.

Në Bashkinë Pustec nuk raportohen problematika nga reshjet e shiut.

Sa i përket Aksit Qafë-Plloçë–Qukës, ka patur rënie gurësh dhe rrëshqitje masivi rreth 2 km para tuneleve, gjithashtu rënie gurësh dhe rrëshqitje masivi në hyrje të tunelit. Policia Rrugore ndodhet në vendngjarje dhe subjekti kontraktor i mirëmbajtjes po kryen ndërhyrje për normalizimin e situatës.

1 nga 19

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›