E Diel, 1 Nëntor 2026

Restaurimi shpëton Urën e Palecit të dëmtuar nga përmbytjet

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Sasia e madhe e reshjeve të rëna kohët e fundit, kishte dëmtuar Urën e Palecit, në fshatin Tozhar, komuna Tërpan, Poliçan.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat tha se konstatoi dëmtime në muraturën e gurit pranë harkut të djathtë të urës dhe vendosi të vinte në zbatim projektin e parashikuar për “Konservimin dhe Restaurimin e Urës së Palecit” për këtë segment.

Ndërhyrja konsistoi në restaurimin e murit të gurit, që solli stabilizimin e strukturës dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme.

Ura e Palecit është pjesë e rrugës së karvaneve Berat – Skrapar – Korçë, në anën e majtë të Osumit, e cila fillimisht ka qenë me tri harqe, me trase të kurbëzuar.

Sot ruhen vetëm dy harqet e djathtë mbi tokë, ku njeri prej tyre është gjysmërrethor dhe tjetri anësor është me majë, punuar me tek qemer dhe sipër me kornizë rasë guri. Kjo vepër inxhinierike duhet të jetë ndërtuar gjatë shekullit XVIII. Pas dëmtimit të një pjese të urës (mungesa e një harku dhe mbështetësja anësore) është krijuar një pasarelë, e cila mundëson kalimin e njerëzve, nga të dyja anët e lumit. /j.p/

1 nga 8

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›