‘Rezoluta kundër korrupsionit’, Braçe replikon me deputetët e ‘Rithemelimit’: Sakrifikuat drejtësinë për Familjen

Rezoluta kundër korrupsionit e paraqitur në Kuvend nga ana e shumicës parlamentare, ka qenë objekt debate mes PS dhe opozitës, ku nuk kanë munguar jo vetëm sulmet politike kundër njëri tjetrit, por janë artikuluar edhe një seri akuzash, kryesisht nga opozita, ndaj SPAK-ut.
Në frymën e këtij debate ka reaguar edhe deputeti i PS-së, Erion Braçe, sipas të cilit, “korrupsioni nuk luftohet me fjalë ashtu sikurse bënë opozita, por me ligj.”
Braçe, gjatë fjalës ë tij në Kuvend, e ka etiketuar gjuhën e deputetëve të “Rithemelimit” të PD-së kundër SPAK, të njëjtë me atë që përdorin “kriminelët”.
“Gjuha që përdoret në Kuvend kundër SPAK-ut, është gjuhë për kriminel, jo gjuhë që mund të përdor një deputet. Nuk mundet deputeti që të përdor fuqinë që i jep mandati i deputetit për të bërë këto deklarata. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, është i ri në këtë sallë. Do doja ti thosha që të luftosh korrupsionin me fjalë është ndryshe dhe ta luftosh atë më ligj është ndryshe”, theksoi Braçe.
Sipas tij, PS ka denoncuar me prova vjedhjen e pasurisë nga Familja.
“Kemi denoncuar me prova dhe me kallëzim rruajtjen që ju bë OSSH-së, CEZ-it. Këtu ka njerëz që e kanë mbrojtur CEZ ,sepse ishte aferë e një Familje politike. Kemi denoncuar me fakte edhe rruajtjen që u bë me borxhet e CEZ, borxhet të cilat u krijuan qëllimisht, dhe u mor përsipër nga e njëjta Familje politike. Njerëz në këtë sallë e kanë mbrojtur deri në fund rruajtjen që ju në Albpetrol nga A-ja tek ZH-ja. Rruajtjen e 4 hidrocentraleve më prodhues në këtë vend, sepse brenda saj ishte Familja politike dhe biologjike. Po kështu u veprua me Porto Romanon, Klubin Partizani, por që drejtësia po bën përgjegjës atë që duhet. Edhe pse i denoncuam, nuk u hetuan, sepse nuk u la drejtësia. Kemi sot deputet që janë përgjegjës për këto akte. Kjo që po miratojmë sot është konsolidim i kulturës së re të barazisë para ligjit, reformim i institucioneve”, tha Braçe.
/rtsh.al/