Kompensimi 10% për faturat tatimore, Tatimet përgjigjen për pyetjet më të shpeshta të fermerëve

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Nga 1 korriku ka nisur procesi i aplikimit për përfitimin e kompensimit 10% të vlerës së produkteve bujqësore të dokumentuara me faturë tatimore për fermerët.
Inspektorja e parë në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut, Ilva Zykollari, ka sqaruar disa nga pyetjet më të shpeshta të fermerëve lidhur me këtë skemë, duke bërë të ditur kushtet që duhet të plotësohen për përfitimin e kompensimit.
Sipas saj, fermerët duhet të plotësojnë tre kritere kryesore: të jenë të regjistruar në administratën tatimore me një NIPT, të mos kenë përgjegjësi tatimore për TVSH-në dhe statusi i tyre të jetë aktiv.
Zykollari bëri të ditur se masa e kompensimit është 10% e vlerës totale të produkteve bujqësore të furnizuara dhe të dokumentuara me faturë tatimore për periudhën janar–qershor 2026.
Për të përfituar nga kjo masë mbështetëse, subjektet prodhuese bujqësore duhet të aplikojnë online përmes sistemit tatimor. Afati i fundit për aplikimet është 31 dhjetor 2026.
Skema e kompensimit synon të mbështesë fermerët dhe të nxisë formalizimin e aktivitetit bujqësor përmes dokumentimit të shitjeve me faturë tatimore.
/e.xh/a.f/