Rihapet pas restaurimit kalaja e Bashtovës, Gonxhja: Ndër monumentet më të çmuara të historisë sonë

TIRANË, 29 gusht /ATSH/ Dikur dëshmitare për shekuj e tregtisë dhe shkëmbimeve, Kalaja e Bashtovës është rihapur si një qendër e gjallë kulturore falë programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).
E dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019, kjo kala e shekullit XV qëndronte si një kujtesë e brishtë e së kaluarës së Shqipërisë dhe sot është restauruar me kujdes, gjallëruar dhe rimenduar si një hapësirë ku bashkohen historia, kultura dhe komuniteti.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Sabine Kania, Drejtuese e Zyrës së UNOPS në Shqipëri dhe Kosovë, së bashku me ambasadorë, të ftuar të nderuar, familje dhe anëtarë të komunitetit.
Dita ndërthuri trashëgiminë me kreativitetin, duke përfshirë aktivitete pikture për fëmijë dhe një ekspozitë të punimeve të tyre, një panair artizanësh dhe prodhuesish vendas që prezantuan produktet e tyre, si dhe ture të kalasë të pasuruara me realitet të shtuar.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e cilësoi si një ditë të veçantë, dhe simbolike për trashëgiminë tonë kulturore.
“E ndërtuar në shekullin XV, kjo kala përfaqëson një pikë strategjike të lidhjes së Shqipërisë me Mesdheun. Dikur ishte një portë e rëndësishme e venecianëve për shkëmbime tregtare dhe pjesë e një harte më të gjerë komunikimesh ndërkulturore që bashkonte Lindjen me Perëndimin. Sot, falë mbështetjes së Bashkimit Europian dhe programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS, ajo vjen para nesh e restauruar plot kujdes, duke na kujtuar se historia nuk është vetëm për t’u mbajtur mend, por për t’u rijetësuar dhe për t’u bërë pjesë e së ardhmes sonë”, u shpreh ministri.
Për herë të parë, shtoi Gonxhja, “kalaja e Bashtovës jo vetëm që është rikthyer në identitetin e saj historik, por është pajisur edhe me një qendër moderne vizitorësh, e cila ofron informacion, shërbime bashkëkohore dhe kushte për aktivitete kulturore, edukative e turistike. Qendra e vizitorëve është konceptuar si një hapësirë mikpritëse që i hap dyert çdo vizitori vendas apo të huaj, duke e shndërruar vizitën në Bashtovë në një përvojë të plotë”.
Gonxhja theksoi se, “rijetësimi i kalave shqiptare është një politikë strategjike që shkon përtej ruajtjes së thjeshtë të mureve dhe gurëve. Çdo kala e rikthyer në jetë bëhet një katalizator për zhvillimin ekonomik dhe social të zonës: krijon mundësi të reja punësimi për të rinjtë, nxit turizmin kulturor e natyror, gjallëron gastronominë tradicionale, artizanatin dhe mikpritjen lokale. Ky investim kthehet në një motor të qëndrueshëm të zhvillimit që i jep frymë komunitetit dhe gjeneron të ardhura të reja”.
Vetëm këtë vit, u shpreh ai, numri i turistëve që kanë vizituar kalatë janë rritur me 95% krahasuar me vitin 2024, ndërsa turizmi në sitet kulturore është rritur me 64%.
Gonxhja theksoi se “Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në strategjinë e saj parashikon rijetëzimin e kalave si pjesë të një procesi gjithëpërfshirës mirëmenaxhimi. Ky proces nuk ndalet vetëm te restaurimi fizik i monumenteve, por përfshin edhe planifikimin e përdorimit të tyre si qendra kulturore, edukative dhe turistike. Me këtë vizion, kalatë tona nuk do të jenë më thjesht objekte muzeale, por hapësira dinamike ku zhvillohen aktivitete, ku forcohet identiteti kombëtar dhe ku krijohen mundësi konkrete për punësim dhe zhvillim lokal”.
Gonxhja shtoi se “kalaja e Bashtovës, me hapësirën e saj prej mijëra metrash katrorë, është e destinuar të kthehet në një qendër multifunksionale: këtu do të zhvillohen koncerte, festivale, ekspozita, shfaqje teatrale, aktivitete edukative për fëmijët e të rinjtë, si dhe evente tematike ndërkombëtare”.
“Ky moment është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, një model që duhet të frymëzojë edhe projekte të tjera të ngjashme. Kjo është mënyra më e mirë për të treguar se integrimi europian nuk është vetëm një proces politik, por edhe një realitet konkret që sjell rezultate të prekshme për qytetarët tanë”, përfundoi fjalën e tij ministri Gonxhja.
Ambasador i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, u shpreh se “me restaurimin e kalasë, duam t’i bëjmë homazh trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë, por edhe të krijojmë mundësi për turizëm të qëndrueshëm. Përmes programit EU4Culture, ne nuk po restaurojmë vetëm ndërtesa, por po krijojmë gjithashtu mundësi për artistët, zejtarët dhe përfshirjen e komunitetit. Ne duam të krijojmë hapësira për të diskutuar, për t’u lidhur dhe për t’u shprehur. Sa e mrekullueshme është që një kala, dikur e ndërtuar për mbrojtje dhe izolim, po shndërrohet në një hapësirë për ndërveprim, bashkëveprim dhe zbulime kulturore. Na duhen më pak mure dhe më shumë hapësira të tilla për komunitetet tona”.
Drejtuese e Zyrës së UNOPS në Shqipëri, Sabine Kania shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ekspertëve dhe ekipeve të përkushtuara që kanë kontribuar me kaq shumë punë dhe pasion në këtë projekt të mrekullueshëm.
“Kalaja e Bashtovës tani mund të gjenerojë të ardhura për mirëmbajtjen e saj, ndërsa vizitorët mund të shijojnë tregimin përmes realitetit të shtuar, për herë të parë të realizuar në këtë mënyrë në Shqipëri. Kalaja e restauruar po hyn në të tashmen dhe të ardhmen, si një vend për të mësuar, për të festuar dhe për të ndërtuar lidhje”, tha ajo.
Ndërhyrja e EU4Culture në Kalanë e Bashtovës përfshiu riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, ndërkohë që e rijetësoi këtë sit të rëndësishëm kulturor. Muret dhe kullat e saj u forcuan, u mundësua aksesi i sigurt për vizitorët dhe u krijuan hapësira të reja për të mësuar dhe eksploruar. Punimet arkeologjike të kryera gjatë projektit zbuluan gjithashtu detaje interesante mbi historinë e kalasë, përfshirë prova të rolit të saj në mbrojtjen e tregtisë së grurit përgjatë shekujve dhe rolin si një portë detare drejt kanaleve lumore që të çonin në det. Këto gjetje i dhanë një dimension të ri historisë së Bashtovës dhe do të ndihmojnë në lidhjen më të thellë të monumentit me identitetin kulturor të Shqipërisë. Për të pasuruar përvojën e vizitorëve, ndërhyrja solli edhe elementë të realitetit të shtuar, duke përfshirë një aplikacion i cili u mundëson vizitorëve të eksplorojnë kalanë përmes tregimeve digjitale.
Kalaja e Bashtovës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë që nga viti 1948 dhe kandidate për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është një nga 23 sitet e trashëgimisë që po restaurohen përmes programit EU4Culture, një program prej 40 milionë eurosh i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky program synon të mbrojë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, duke nxitur njëkohësisht turizmin, mbështetur artizanët dhe bizneset lokale dhe krijuar mundësi të reja për komunitetet.
Kalaja e Bashtovës, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 39/gj.m//r.e//a.f/