Rikonstruksioni i rrugës në Dimal, miratohen shpronësimet dhe kompensimi

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës “Engjëll Agalliu”, në lagjen “18 tetori”, Bashkia Dimal”.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Dimal.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 190 833 lekësh që përballohet nga buxheti i bashkisë së Dimalit.
Sipas vendimit, shpronësimi fillon menjëherë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Dimal.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat dhe Drejtoria Vendore Kuçovë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Dimal, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.