E Martë, 3 Nëntor 2026

HAGË – Trump kërcënon Spanjën me dyfishim tarifash për shkak të shpenzimeve të ulëta në mbrojtje

HAGË, 25 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se do të dyfishojë tarifat ndaj Spanjës, ndërsa kritikoi hezitimin e Madridit për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Deklarata e Trump erdhi gjatë samitit të NATO-s sot në Hagë, ku aleatët ranë dakord për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të prodhimit ekonomik – për të financuar programin më të madh të riarmatimit të aleancës që nga Lufta e Ftohtë.

Megjithatë, Madridi ka këmbëngulur se mund të arrijë objektivat e tij të aftësive specifike për vendin pa arritur objektivin prej 5%.

“Spanja është i vetmi vend nga të gjitha vendet që refuzon të paguajë”, tha Trump.

“Ata duan më shumë avantazhe, por do të duhet të na e shlyejnë atë në tregti sepse unë nuk do ta lejoj këtë të ndodhë. Është e padrejtë”, theksoi presidenti Trump.

“Po negociojmë me Spanjën për një marrëveshje tregtare. Do t’i bëjmë ata të paguajnë dyfishin e shumës. Dhe në fakt jam shumë serioz për këtë”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›