E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikthehen tensionet në veri të Kosovës, analisti Hoxha: Funksionimi i institucioneve paralele i papranueshëm

Për të dytën ditë radhazi punonjësit e institucioneve paralele serbe, të cilat u mbyllën nga qeveria e Kosovës, protestuan për  rikthimin në punë në këto objekte.

Tubuesit, përfshirë punonjës të komunës paralele të Mitrovicës, deklaruan  se tubimi i tyre është paqësor, ndërsa përsëritën se administrata e kësaj komune që Prishtina zyrtare  e konsideron ilegale ka ofruar shërbime për të gjithë qytetarët.

Analisti Ylli Hoxha, në një intervistë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi, u shpreh se funksionimi i institucioneve paralele është i papranueshëm për një shtet sovran. Sipas tij, në bazë të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Brukselit, këto institucione duhet të ishin mbyllur 10 vite më parë. Analisti theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira diplomatike të Kosovës me partnerët e saj, SHBA dhe BE.

Më poshtë intervista e plotë 

Hoxha: Protesta është e sanksionuar me Kushtetutë të Kosovës si e drejtë fondamentale e qytetarëve të saj dhe nuk ka gjë të keqe nga këto protesta. Funksionimi i institucioneve paralele është i papranueshëm për një shtet sovran dhe është i sanksionuar në marrëveshjet e Brukselit të arritura 10 vite më parë nga Kosova, Serbia dhe BE. Këto komuna që janë mbyllur javën e kaluar, sipas marrëveshjeve duhet të mbylleshin para 10 vitesh. Fakti që kanë funksionuar është një imponim që bashkësia kombëtare i ka bërë Kosovës për të mbajtur në disponim Serbinë. Indinjimi i bashkësisë ndërkombëtare me veprimet që merr qeveria nuk është në përputhje me atë që kanë investuar për të arritur një shtet ligjor dhe për të arritur paqen mes dy vendeve.

Furxhi: Prej disa javësh po diskutohet ura e Ibrit. Pse hapja e saj për automjetet do të ishte rrezik?

Hoxha: Është e qartë, stabiliteti dëshirohet të mbahet në kurriz të Kosovës. Të mbyllësh një urë është kërkesë absurde. Është në kundërshtim me vlerat që proklamon perëndimi dhe që i ka përqafuar Kosova. Në të kaluarën ka qenë më e lehtë. Tani duhet hapur ajo urë sepse nuk ka kuptim që në vitin 2024 të qëndrojë një urë e mbyllur, një qytet i ndarë. Është antivlerë. Argumenti i vetëm që na jepet është se destabilizohet gjendja. Nga kush destabilizohet? Vetëm nga Serbia. Unë nuk them se ne duhet të ngutemi me këto gjëra. Qeveria e Kosovës duhet të diskutojë por nuk duhet të pranojë sugjerime të shtyrjes pa afat të hapjes së urës.

Furxhi: Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime gjatë viteve të fundit, si rishikimi i çështjes së targave, urdhri për ndalimin e dinarit dhe tani së fundmi me mbylljen e institucioneve paralele. A kanë çuar këto vendime të qeverisë në rritje të autoritetti të saj në veri apo nuk ka ndryshuar gjë?

Hoxha: Shtrirja e institucioneve tona në veri është rritur, prania, kontrolli i policisë. Ajo që po ndodh është gjithashtu një konfrontim diplomatik i qeverisë së Kosovës me partnerët perëndimorë të cilët nuk po e përkrahin këtë lloj ecje të shtrirjes së sovranitetit  ndonëse kanë ndërmjetësuar në ekzistencën e saj. Në këtë pikë Kosova duhet të ketë kujdes, që krahas këtyre veprimeve të ketë një aktivitet shumë më të lartë diplomatik në mënyrë që këto gjëra të bëhen me mirëkuptim me BE dhe SHBA. Deri tani gjendja në veri ka ndryshuar dramatikisht. Serbët që protestuan sot duhet të dinë që Kosova posedon një prej kushtetutave që garantojnë të drejtat më të avancuara për komunitetet në pakicë./vizionplus.tv 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›