Vjosa Osmani takon Kasanof, presidentja diskuton situatën në Kosovë me të dërguarin amerikan

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani diskutoi për zhvillimet e fundit dhe dialogun Kosovë-Serbi me të dërguarin e ri të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof.
Takimi i parë mes Osmanit dhe zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, u zhvillua në pragë, ku ata po marrin pjesë në konferencën e sigurisë, GLOBSEC.
“Diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit, rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe mbi dialogun Kosovë-Serbi”, bëri të ditur Osmani përmes një postimi.
Takimi u zhvillua një ditë pasi SHBA kritikoi ashpër një aksion të autoriteteve të Kosovës në veri, ku u mbyllën pesë institucione paralele serbe.
Sipas qeverisë së Kosovës, këto institucione kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë. /vizionplus.tv