E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet tregu i imëtave në Shkodër – U ndaluan pas zbulimit të murtajës së ruminantëve të vegjël

Këtë të diele fermerët në tregun e Stom Golemit i janë rikthyer normalitetit pas thuajse 5 muajsh duke tregtuar të imtat.

Tregtarët shprehën të kënaqur pasi shitjet janë burim i të ardhurave për ta. Ata thonë se në zonat e tyre nuk ka pasur asnjë rast me murtajë, megjithatë janë detyruar të zbatojnë masat kufizuese, ndonëse me kosto ekonomike.

“Kemi qenë të bllokuar për tregun por ligji duhet zbatuar”, u shpreh një tregtar.

“Ne si zonë nuk kemi pasur probleme kurrë sepse i kemi pasur bagëtinë të shëndetshme”, tha një tjetër tregtar.

Prej muajit korrik në qarkun Shkodër u ndalua tregtimi I të imtave pas zbulimit të 3 rasteve me murtajë tek ruminantët e vegjël ku u asgjësuan rreth 700 krerë.

Tashmë tregu është rikthyer në çdo zonë duke u dhënë mundësi fermerëve por edhe konsumatorëve që të marrin produkt të sigurt. Pritet që shitjet të jenë të larta veçanërisht gjatë muajit dhjetor ku edhe konsumi I mishit është më i madh.

Gazetare: M Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›