E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ligji për kriptovalutat – Ministria e Financave, synohet rregullimi i këtij tregu dhe ndalimi i abuzimeve

Përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe përdorimi në rritje i kriptovalutave në vend, ka detyruar qeverinë shqiptare të përgatis projektligjin për tregjet e kripto-aseteve. Sipas ministrit së Ekonomisë dhe Inovacionit, ligji i depozituar për konsultim publik synon rregullimin për herë të parë të veprimtarisë së platformave, bursave dhe ofruesve të këtyre aseteve.

“Projektligji ka si qëllim të rregullojë subjektet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike si dhe veprimtaritë e ndërmjetësimit të kripto-aseteve të tilla si operimi i një platforme tregtie, këmbimi, kujdestaria, marrja dhe transmetimi i urdhrave, ekzekutimi i urdhrave, hedhja në treg, transferta, këshillimi dhe administrimi i një portofoli kripto-asetesh”, shkruan Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Gjithashtu drafti parashikon edhe rregulla të qarta kundër manipulimeve apo abuzimeve në këtë treg.

“Projektligji synon garantimin e standardeve më të larta të mbrojtjes së investitorëve dhe integritetit të tregut, përmes kërkesave prudenciale, rregullave dhe politikave të qeverisjes korporatave, menaxhimit të konfliktit të interesit, masave të sigurisë kibernetike dhe operacionale, transparencës së dokumentit informues, rregullave të marketingut, si dhe mekanizmave kundër abuzimit me tregun dhe në përputhje me politikat e parandalimit të pastrimit të parave”, shkruan ministria.

Zbatimi dhe mbikëqyrja e këtyre standardeve, sipas projektligjit është parashikuar të kryhet, sipas fushës së përgjegjësisë, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë, gjë që rrit besimin e konsumatorit dhe garanton stabilitetin e sistemit financiar.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›