E Diel, 1 Nëntor 2026

Rindërtimi i Ukrainës- Zelensky emëron këshilltare të tij ish-ambasadoren ukrainase në SHBA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky emëroi Oksana Markarovan, e cila deri në gusht të këtij viti shërbente si ambasadore e Kievit në SHBA, si këshilltaren e tij të re për rindërtim dhe investime.

Dekreti që konfirmon emërimin e Markarovës u publikua në faqen zyrtare të zyrës së presidentit të Ukrainës.

“Përveç qëllimit themelor për të mbrojtur pavarësinë tonë dhe punës së përditshme për të siguruar mbijetesën e Ukrainës, ne kemi një objektiv afatgjatë: t’i japim Ukrainës kapacitetin për t’u rindërtuar pas luftës dhe për të rikthyer zhvillimin normal ekonomik,” deklaroi Zelensky në një postim në platformën X (ish-Twitter) lidhur me këtë emërim.

Ai theksoi se kjo është një detyrë për qeverinë, të gjitha institucionet dhe bizneset ukrainase, dhe shtoi se “besoj se të gjithë ata që mund të ndihmojnë Ukrainën në këtë drejtim, duhet ta bëjnë.”

“Jam i gëzuar që Oksana mbetet pjesë e ekipit tonë shtetëror. Përgjegjësitë e saj të reja do të përfshijnë këshillimin për çështje që forcojnë Ukrainën, si përmirësimi i klimës së biznesit, rritja e qëndrueshmërisë financiare të shtetit, tërheqja e investimeve dhe planifikimi i rindërtimit bashkë me partnerët tanë strategjikë,” shtoi presidenti.

Edhe Oksana Markarova komentoi emërimin e saj, duke falënderuar Zelenskyn për besimin dhe “fokusi drejt së ardhmes, ndërkohë që udhëheq vendin tonë në mbrojtje”.

“I nderuar që vazhdoj të punoj së bashku me Ju dhe miqtë tanë ndërkombëtarë për të planifikuar rindërtimin, për të krijuar partneritete dhe për të tërhequr investime – të gjitha të nevojshme për të fituar paqen,” shkroi ajo në X.

Markarova më parë ka qenë ambasadore e Ukrainës në SHBA (që nga shkurti 2021). Më 27 gusht, Zelensky emëroi Olha Stefanishynën si ambasadoren e re të Kievit në Shtetet e Bashkuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›