Zelensky zbarkon të hënën në Paris, diskutohet për paqen në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet të hënën në Paris me homologun e tij francez Emmanuel Macron për të diskutuar “kushtet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Sipas presidencës franceze, kjo vizitë vjen dy javë pas takimit të tyre të fundit më 17 nëntor.
“Ne do ta mirëpresim presidentin Zelensky në Paris për të çuar përpara negociatat”, deklaroi ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot në gazetën La Tribune Dimanche.
“Paqja është e arritshme, nëse [presidenti rus] Vladimir Putin heq dorë nga shpresa e tij deluzive për të rindërtuar Perandorinë Sovjetike duke nënshtruar së pari Ukrainën. Ukraina i përket popullit ukrainas dhe vetëm atij”, u shpreh kryediplomati francez.
Në një paralajmërim për Rusinë, Barrot shtoi se “Vladimir Putin duhet të pranojë armëpushimin ose të pranojë ekspozimin e Rusisë ndaj sanksioneve të reja që do të shterojnë ekonominë e saj, si dhe mbështetjes së përforcuar evropiane për Ukrainën.”
Ndërkaq, vizita e Zelenskyt vjen një ditë pasi delegacioni ukrainas në SHBA po diskuton detajet e një planit të propozuar për paqe, të hartuar nga presidenti Donald Trump pas negociatave me Rusinë.
Plani kërkon nga Ukraina të heqë dorë nga pjesë të territorit të saj, të kufizojë ushtrinë e saj dhe të angazhohet kurrë të mos bashkohet me NATO-n – ka shkaktuar alarm në Kiev dhe Bruksel.
Kryetarët e politikës së Jashtme të BE-së këmbëngulin se çdo marrëveshje duhet të ketë mbështetjen e ukrainasve dhe evropianëve.
Negociatat e kësaj jave janë përqendruar në rishikimin e kornizës, megjithëse nuk është ende e qartë se çfarë ndryshimesh janë rënë dakord.
/rtsh.al/