Rindërtohet me hapësira moderne shkolla “Pjetër Budi” në Tiranë

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Shkolla “Pjetër Budi” në Tiranë po rindërtohet me hapësira moderne për nxënësit dhe mësuesit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kantieri i transformimit të kësaj shkolle e cila po pajiset me palestër të re, klasa bashkëkohore dhe sistem të ri ngrohjeje.
Rama theksoi se kjo është një tjetër shkollë që i shtohet hartës së shkollave të reja të ndërtuara në kryeqytet.
Shkolla “Pjetër Budi” po ndërtohet nga themelet si një institucion arsimor modern dhe i përshtatshëm për të gjithë nxënësit.
Ajo po transformohet në një hapësirë moderne dhe gjithëpërfshirëse me sallë multifunksionale, sallë e posaçme për fëmijët me aftësi ndryshe, ashensor dhe ambiente ndihmëse për një mjedis sa më funksional.
Ndërtimi nga e para i kësaj shkolle është pjesë e një plani më të gjerë për modernizimin e infrastrukturës arsimore në kryeqytet.
/m.m/a.f/r.e/