E Diel, 1 Nëntor 2026

Prani uji në tokat bujqësore të disa fshatrave në Elbasan

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Intensiteti i reshjeve të shiut gjatë natës ka qenë i lartë në territorin e bashkisë së Elbasanit, çfarë ka sjellë edhe disa problematika.

Sipas një njoftimi të bashkisë Elbasan, deri tani nuk ka prani të ujit në asnjë banesë.

“Gjatë natës ekipet e bashkisë ndërhynë për stabilizimin e situatës, pasi uji po afrohej në disa banesa, pranë Uzinës 12. U urdhërua kompania private e cila kishte bllokuar kanalin të bënte zhbllokimin e menjëhershëm, çka solli normalizimin e situatës”, bëri të ditur bashkia.

Aktualisht të gjitha mjetet e shërbimeve publike dhe të gjithë punonjësit janë të lokalizuar në Mlizë, Shushicë, Jagodinë, Muriqan dhe Valas, ku ka prani uji në tokat bujqësore.

Ekipet e qytetit ndërkohë vijojnë vazhdimisht pastrimin e kolektorëve të cilët bllokohen nga mbetjet që sjell vërshimi i ujit.

Si pasojë e gatishmërisë 24 orë në qytet vijon të ketë situatë të qetë, pa probleme.

Bashkia e Elbasanit informon se prurjet e lumit Shkumbin dhe përrenjve Zaranikë e Manazdere mbeten në kuota mesatare deri të larta, por të përballueshme.

“Përroi i Kushes shënon prurje më të mëdha. Sipas parashikimeve, reshjet e shiut do të vazhdojnë të jenë intensive ndaj ju kujtojmë nr. e emergjencave për çdo situatë të mundshme. Policia e Shtetit: 129; Zjarrfikësja: 128; numri unik i emergjencave: 112. Për emergjenca të lidhura me furnizimin me ujë, në dispozicion janë edhe numrat e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve: +355 68 641 6064; +355 69 475 0333”, thuhet në njoftimin për shtyp të bashkisë.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›