Rinia 2030, Ibrahimaj: Buxheti 2026 dyfishon fondet për programet e punësimit për të rinjtë

Në një takim me të rinjtë dhe punësimin e tyre, ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj tha se buxheti i vitit 2026 do të parashikojë një dyfishim të fondeve për të rinjtë dhe punësimin e tyre, duke ofruar 12 milionë euro për programet e nxitjes dhe mundësive të punës.
Ibrahimaj theksoi se mbështetja për të rinjtë është kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Në buxhetin e vitit 2026 ne kemi një dyfishim të fondeve për të gjitha programet e nxitjes dhe punësimit. Janë 12 milionë euro në dispozicion të të rinjve sepse vërtet besojmë se duhet të mbështesim pensionistët që kanë kontribuuar për këtë vend, të punësuarit që rrisin të ardhurat e buxhetit, por nëse nuk investojmë tek të rinjtë ndalon i gjithë ky zhvillim”, tha Ibrahimaj.
Ministrja gjithashtu bëri të ditur se 2,000 profesionistë janë tashmë të punësuar nëpërmjet programeve të mbështetura nga buxheti i shtetit.
“2 mijë profesionistë janë të punësuar nëpërmjet programeve që ose financohen 100% nga buxheti i shtetit nëse janë të papunë ose 50% nëse janë të punësuar në një punë dhe duan të marrin këto kapacitete”, tha ajo.
Kjo iniciativë synon jo vetëm të reduktojë papunësinë e të rinjve, por edhe të forcojë aftësitë e tyre profesionale për një treg pune gjithnjë e më konkurrues.
/rtsh.al/