E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje me paramendim, shkatërrime prone dhe vjedhje me armë, GJKKO pranon kërkesën e SPAK për gjykimin e grupit Haxhiu-Bixheku-Tafani

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka pranuar kërkesën e paraqitur më 4 tetor nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dërgimin për gjykim të çështjes penale nr. 227/2 të vitit 2023, që ngarkon të pandehurit Laert Haxhiu, Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani me një sërë akuzash të rënda, kryesisht të lidhura me aktivitet kriminal të strukturuar.

Në seancën paraprake të datës 12 dhjetor 2025, trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj vendosi se ekzistojnë prova të mjaftueshme për nisjen e gjykimit. Akuzat përfshijnë një numër të madh ngjarjesh të ndodhura gjatë viteve 2021–2024, mes tyre vrasje me paramendim, disa prej tyre të kryera për interes ose në formë bashkëpunimi në “grup të strukturuar kriminal”; shkatërrime prone me eksploziv; vrasje të mbetura në tentativë; vjedhje me armë; mbajtje pa leje të armëve dhe lëndëve plasëse; si dhe sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje.

Sipas vendimit, Laert Haxhiu akuzohet për një seri ngjarjesh kriminale të ndodhura në Lushnjë, Tepelenë, Durrës, Peqin dhe Shijak, të shtrira nga viti 2021 deri në vitin 2024. Kristi Bixheku dhe Artan Tafani akuzohen për bashkëpunim në disa prej episodeve, përfshirë sigurinë e kushteve për kryerjen e vrasjes dhe shkatërrime me eksploziv.

Gjykata urdhëroi gjithashtu që çështja të gjykohet nga një trup gjykues prej tre gjyqtarësh, për shkak të kërkesës së dy prej të pandehurve për gjykim të shkurtuar.

Fashikulli i çështjes përbëhet nga 45 volume, me mijëra faqe material hetimor, deklarimesh dhe provash të mbledhura gjatë hetimeve të SPAK-ut.

Vendimi është depozituar në sekretarinë e GJKKO dhe çështja do të hedhë shortin për vijimin e gjykimit në ditët në vijim.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›