Riparohet ura në fshatin Bleran të Shkodrës, dalin nga izolimi 600 banorë të dy fshatrave

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Pas dëmtimit për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të shiut, ura prej hekuri në Bleran të Shkodrës, është riparuar në kohë rekord.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci tha se nga dëmtimi i kësaj ure mbetën të izoluara dy fshatra me rreth 600 banorë, duke shkaktuar vështirësi serioze në lëvizje dhe duke bllokuar aksesin drejt varrezave të fshatit.
Beci tha se falë reagimit të menjëhershëm dhe bashkëpunimit institucional me Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Prefektura e Qarkut Shkodër, nën koordinimin e drejtorit të përgjithshëm Haki Çako, nisi puna për vendosjen e një ure prej hekuri, një zgjidhje e qëndrueshme për zonën.
Ndërhyrja po kryhet me profesionalizëm të lartë nga Batalioni Xhenio i Forcave të Armatosura, duke rikthyer qarkullimin normal për komunitetin e prekur.
“Pavarësisht ditëve me reshje intensive dhe prurje maksimale, situata është menaxhuar me përgjegjësi, duke pasur minimumin e problematikave në territor”, tha Beci.
Reshjet e dendura të shiut dhe moti i keq kanë sjellë problematika në infrastrukturë dhe përmbytje në disa qarqe të vendit.
/e.i/a.f/r.e/