E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishikimi i Buxhetit 2025 me fokus te pensionistët, eksperti: Nisma me ndikim pozitiv, por nuk garanton mirëqenie të qëndrueshme

Buxheti i rishikuar për vitin 2025 parashikon një shtesë prej 7,6 miliardë lekësh për skemën e pensioneve. Nga kjo shumë, 1,7 miliardë lekë do të përdoren për rritjen e tavanit të shpenzimeve, ndërsa 5,6 miliardë lekë i janë dedikuar bonusit të fundvitit për pensionistët, duke konfirmuar një zgjerim të mëtejshëm të këtij bonusi.

Eksperti Kujtim Hoxha e vlerëson këtë nismë si një hap me ndikim pozitiv, por që, sipas tij, nuk garanton mirëqenie të qëndrueshme.

“Bonusi, në aspektin social, u vjen në ndihmë qytetarëve. Do t’u shërbejë për të mbyllur ‘hallet’ me atë masë pensioni ose me bonusin që do t’u jepet,” thotë z. Hoxha.

Mënyra e ndarjes së parave në dy shkallë synon të mbështesë kategoritë më vulnerabël në përballimin e rritjes së kostos së jetesës.

“I bie që të ketë dy ndarje: qytetarët që kanë pensione më të larta, sigurisht, do të kenë një bonus më të vogël. Pensionistët e tjerë, me të ardhura të pakta, do të kenë një bonus më të madh,” thekson eksperti.

Instrumenti i bonusit të fundvitit nuk përbën ende një politikë të përhershme për buxhetin e shtetit.

“Shërben si një legjislativ ad hoc. Qeveria, sipas mundësive që ka, herë e jep, herë s’e jep. Ose sipas subjektivizmit për arsye të ndryshme,” shton z. Hoxha.

Aktualisht në Shqipëri janë rreth 550 mijë pensionistë me pensione nën 18 mijë lekë në muaj, ndërsa mbi 120 mijë prej tyre marrin më pak se 10 mijë lekë në muaj. Eksperti kërkon më shumë transparencë në përllogaritjen e pensioneve, në mënyrë që sistemi të bëhet më stimulues për qytetarët.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›