E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli i AMA-s si ent rregullator, Krasniqi takim me Përfaqësuesin e OSBE për Lirinë e Medias

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi priti në takim në AMA, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, ambasadorin Jan Braathu.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, këshilltarja kryesore e përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Barbara Trionfi, shefi i Departamentit të Demokratizimit pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Dane Koruga, si dhe sekretari i lartë i përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Adis Mustedanagic.

Gjatë takimit, Krasniqi iu përgjigj interesit të Braathu mbi rolin e AMA-s si ent rregullator, transparencën e pronësisë së medias, qasjen ndaj publikut dhe mekanizmat administrativë e ligjorë që garantojnë trajtimin e ankesave të ardhura nga qytetarët dhe grupet e interesit për përmbajtjet audiovizive.

Gjithashtu, Krasniqi e informoi edhe lidhur me rolin e AMA-s në garantimin e balancës ndërmjet lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së publikut nga përmbajtjet e dëmshme.

Palët diskutuan edhe mbi bashkëpunimin e vendosur nga AMA me TikTok dhe X për raportimin dhe trajtimin e përmbajtjeve të dëmshme në këto platforma, si një praktikë bashkëkohore që reflekton përgjegjësinë institucionale të rregullatorit në raport me sfidat e reja të ekosistemit mediatik dhe zhvillimet e kuadrit europian në fushën digjitale.

Ambasadori Braathu vlerësoi progresin e arritur nga AMA në drejtim të forcimit të standardeve të shtetit të së drejtës dhe lirisë së shprehjes, duke theksuar se eksperienca e rregullatorit shqiptar përbën një model të rëndësishëm reference për rregullatorët e vendeve të Europës Juglindore.

OSBE është një ndër partnerët strategjikë të AMA-s në forcimin e standardeve demokratike, lirisë së shprehjes dhe konsolidimit të një mjedisi mediatik të pavarur, transparent dhe në përputhje me standardet europiane.

1 nga 8

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›