Rrëshqitja e dherave në aksin Librazhd–Prrenjas, AKMC dhe Policia: Në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e qytetarëve

Kreu i Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se institucionet janë në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate pas shembjes së aksit rrugor Librazhd–Prrenjas.
“Një nga misionet kryesore të mbrojtjes civile është jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Jemi angazhuar dhe në gatishmëri të plotë për të gjithë nevojat që mund të lindin në këtë segment. Rrëshqitja masive që ka ndodhur kërkon koordinimin e të gjitha institucioneve, dhe AKMC do të mbështesë Autoritetin Rrugor dhe të gjitha institucionet deri në hapjen e plotë të aksit,” tha Çako.
Ndërkohë, Policia e Shtetit përmes përfaqësuesit të saj, Dhimitraq Ziu, bëri të ditur se forcat e rendit kanë marrë masat e sigurisë në vendngjarje. Policia ka ndërprerë qarkullimin e mjeteve në zonën e aksit të dëmtuar, ka devijuar lëvizjen në akse alternative sipas udhëzimeve të ARRSH dhe ka vendosur rregullat për sigurinë rrugore.
“Hartuam një plan masash të detajuara për të marrë masa të posaçme për sigurinë rrugore në të gjitha akset, ku do të përfshihen të gjitha mjetet, përveç vendit ku kishte ndodhur dëmtimi. Drejtoria e Policisë së Migracionit dhe Kufirit orienton në pikat e kalimit kufitar për të gjithë situatën dhe drejtimin e lëvizjes në akset e ndryshme. Detyrat e posaçme janë ndalimi i lëvizjeve drejt vendit ku është dëmtuar aksi rrugor, orientimi sipas udhëzimeve të ARRSH dhe respektimi i Kodit Rrugor”, tha Ziu.
/rtsh.al/