Rreth 10 mijë përdorues në Tiranë- Skuterat elektrikë në Gjykatën Kushtetuese, organizata kundërshton ndalimin

Qëndresa Qytetare i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me një kërkesë për shfuqizimin e udhëzimit që ndalon qarkullimin e skuterave elektrike në rrugët e vendit.
Sipas përfaqësuesve të organizatës, akti i ministrisë shkel një sërë të drejtash themelore të qytetarëve.
“Ne kemi parë që akoma sot në ambientet e policisë së shtetit janë mbi 1 mijë mjete të bllokuara që nuk u kthehen qytetarëve. Këtu kemi të bëjmë me një cenim që është liria ekonomike. Kemi parë biznese që preken drejtpërdrejt nga ky udhëzim dhe po shkojnë drejt falimentimit. Po ashtu ka të bëjë edhe me lloj paqartësie të vetë udhëzimit për afatin sa do të ishte ndalimi i monopatinave”, tha përfaqësuesi i organizatës.
Përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare thonë se aksioni i ndërmarrë nga Policia e Shtetit ka qenë disproporcional, i dhunshëm dhe i pajustifikuar
“Monopatinat janë një mjet që reduktojnë trafikun. Kush e menaxhon trafikun? Policia e Shtetit. Atëherë përveç se ka marrë një vendim kundër qytetarëve, ka marrë edhe një vendim kundër vetes së vet. Çdo ditë çmimi i naftës po rritet, si ka mundësi që policia ndalon një mjet që është efektiv sa i përket qarkullimit”, tha përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare.
Përfaqësuesit e organizatës kërkojnë pezullimin e këtij urdhri dhe hapjen e rrugës për rregullimin ligjor të qarkullimit të skuterave elektrikë, njësoj si në vende të tjera.
Sipas tyre, vetëm në kryeqytet ka rreth 10 mijë përdorues të skuterave elektrikë.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/