Rreth 100 klerikë arrestohen gjatë protestës kundër politikave të imigracionit në SHBA

Rreth 100 anëtarë të klerit u arrestuan në aeroportin ndërkombëtar Minneapolis–St. Paul, në shtetin e Minnesotës, gjatë një proteste kundër politikave të ashpra të imigracionit të administratës Trump.
Protesta u zhvillua nga udhëheqës dhe besimtarë fetarë, kryesisht të krishterë, të cilët u mblodhën në aeroport pasi dyshonin se nga aty po niseshin avionë që deportonin emigrantë të ndaluar. Ata u gjunjëzuan, kënduan himne fetare dhe recituan lutje, pavarësisht temperaturave shumë të ulëta.
Policia ndërhyri dhe i arrestoi protestuesit pasi, sipas autoriteteve, ata kishin kaluar kufijtë e lejes së dhënë për protestë dhe kishin penguar funksionimin normal të aeroportit.
Këto arrestime ndodhën gjatë një dite protestash të quajtur “Dita e së Vërtetës dhe e Lirisë”, e organizuar kundër veprimeve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE). Organizatorët u bënë thirrje qytetarëve të Minnesotës të bojkotonin shkollën, punën dhe blerjet si shenjë proteste.
Edhe pse moti ishte shumë i ftohtë, mijëra njerëz morën pjesë në protesta dhe marshime në disa zona të qytetit për të shprehur kundërshtimin ndaj rritjes së kontrolleve dhe deportimeve të emigrantëve.
Një nga pjesëmarrëset, Elizabeth Barish Browne, e cila kishte udhëtuar nga Wyoming, tha se ajo që po ndodh me emigrantët është “moralisht e gabuar” dhe se rreziku më i madh për shoqërinë nuk është i ftohti, por padrejtësia.