Rrëzimi i dronëve rusë në Poloni, kryeministri Tusk kërkon aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s. Rutte: Nuk është incident i izoluar

Pak orë pas rrëzimit të dronëve rusë nga ushtria polake pas shkeljes së hapësirës ajrore në Poloni, kryeministri Donald Tusk ka kërkuar aktivizimin e Nenit 4 të traktatit të NATO-s, i cili u lejon vendeve anëtare ta ngrenë çështjen në Këshillin e Atlantikut Verior (organi kryesor vendimmarrës politik i NATO-s). Më pas mbahen konsultime për të përcaktuar nëse integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e një vendi anëtar është kërcënuar.
“Vlerësimi i plotë i incidentit është duke u kryer. Ajo që duket qartë është se shkelja e natës së mbrëmshme nuk është një incident i izoluar. Ne do ta monitorojmë nga afër situatën në krahun tonë lindor, dhe mbrojtja jonë ajrore do të jetë vazhdimisht gati,” paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një dalje të posaçme.
Kryeministri Tusk theksoi se ky provokim nga ana e Rusisë është tejet i rrezikshëm dhe se Moska po kërkon të përballet me gjithë “botën e lirë”. Pavarësisht situatës, “nuk ka arsye të themi që jemi në gjendje lufte,” nënvizoi kryeministri para deputetëve të dhomës së ulët të Parlamentit.
“Kjo nuk është vetëm një luftë për ukrainasit. Ky është një përballje që Rusia e ka shpallur kundër të gjithë botës së lirë. Nuk ka dyshim se ky provokim është pakrahasueshëm më i rrezikshëm nga pikëpamja e Polonisë sesa ato të mëparshmet”, deklaroi Tusk.
Tusk dha më tej detaje mbi ngjarjen, duke sqaruar se ushtria polake regjistroi 19 ndërhyrje me dronë në hapësirën ajrore të vendit, duke nisur nga ora 23:30 e së martës. Tusk shtoi se 3-4 dronë u rrëzuan nga avionët polakë dhe të NATO-s, ndërsa sqaroi se një numër i konsiderueshëm mjetesh fluturuan nga Bjellorusia.
“Droni i fundit që u rrëzua ishte në orën 06:45 sipas kohës lokale”, sqaroi ai.
“Disa vende aleate u përfshinë krah Polonisë, si me avionët polakë F16, holandezët F35, italianët AWACS, Avioni për Transport Shumërolësh i NATO-s dhe [sistemi raketor] gjerman ‘Patriot’. Unë i përgëzoj pilotët dhe të gjithë ata që kontribuan duke reaguar shpejt dhe me zotësi,” shtjelloi më tej shefi i NATO-s nga selia e aleancës ushtarake.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas e cilësoi ngjarjen si shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane, ndërsa presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, e vuri theksin te rritja e sanksioneve ndaj Moskës me një deklaratë para eurodeputetëve.
Polonia është një nga 32 anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Një nga parimet thelbësore të aleancës ushtarake është Neni 5, që përkufizon se një sulm kundër një ose më shumë anëtarëve do të konsiderohej një sulm kundër të gjithëve.
Në muajin qershor, të gjitha shtetet anëtare, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, riafirmuan angazhimin e tyre të palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive në samitin e NATO-s.
/rtsh.al/