E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet aeroplani privat në brigjet e Kalifornisë, tre të vdekur

Tre persona u gjetën pa shenja jete të dielën në mëngjes, pasi një avion i vogël u rrëzua në Oqeanin Paqësor pranë brigjeve të Kalifornisë qendrore, njoftuan autoritetet amerikane.

Sipas Rojës Bregdetare të SHBA-së, ekipet e emergjencës u përgjigjën menjëherë pas njoftimeve për një avion të rrëzuar rreth 300 metra larg bregut, në zonën e Point Pinos në qarkun Monterey, të shtunën vonë në mbrëmje.

Sipas një deklarate zyrtare, viktimat ishin 60-vjeçari Steve Eugen Claterbuck, 36-vjeçari James Vincent dhe 44-vjeçarja Jammie Lee Tabscott.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan motorin e një avioni që po punonte me zhurmë dhe më pas një përplasje në ujë. Pak më vonë, njerëzit në breg panë mbetje që u lanë në breg nga deti.

Avioni i tipit Beech 95-B55 Baron, me dy motorë dhe tre persona në bord, ishte nisur nga aeroporti San Carlos në orën 22:11 dhe u pa për herë të fundit në orën 22:37 pranë Monterey, sipas të dhënave të ndjekjes së fluturimeve nga FlightAware.com.

Roja Bregdetare dërgoi në zonë një mjet lundrues dhe një helikopter për të kërkuar viktimat, me ndihmën e policisë lokale dhe zjarrfikësve. Një trup u gjet rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës, ndërsa dy trupat e tjerë u zbuluan nga zhytësit brenda avionit të rrëzuar mes orës 06:30 dhe 09:15.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›