Rriten aplikimet për kërkime shkencore, Muça: Sfidë mbetet cilësia e produkteve shkencore

Kërkimi Shkencor është një mundësi unike për të realizuar projekt që në fund na vinë në ndihmë për të zgjidhur probleme të shoqërisë, për të zbuluar dije apo krijime të reja.
Niveli i kërkimit shkencor në vendin tonë vitet e fundit ka pësuar rritje dhe kjo konstatohet në rritjen e numrit të aplikimeve dhe projekteve të financuara.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Mirela Muça, në një intervistë për RTSh ka sqaruar se synohet që nga viti në vit të rritet edhe financimi për Kërkimin Shkencor.
“Vet rritja e numrit të programeve tregon që interesi për të bërë kërkim shkencor është shumë i madh. Edhe prioriteti i qeverisë, është rritja e nivelit të financimit të kërkimit shkencor. Një nga objektivat kemi përcaktuar që deri në vitin 2030 qeveria shqiptare do financojë deri në 1% të prodhimit të brendshëm bruto për kërkim shkencor”, u shpreh Muça.
Një kriter i rëndësishëm i kërkimit shkencor është edhe publikimi i tij në revista shkencore prestigjioze. Muça thotë se nga viti i fundit janë bërë matjet, rezultojnë 2.5 herë më shumë publikime në këto revista se një vit më parë.
“Sot mund të flasim për shqiptar të cilët mund të renditen në atë 2% botëror të publikimeve sepse ky është indikatori që mat rëndësinë dhe cilësinë e një publikimi shkencor”, tha ajo.
Një sfidë e rëndësishme mbetet cilësia e produkteve shkencore, e cila lidhet me numrin e aplikimeve, sa më i lartë të jetë niveli i konkurrencës në aplikime, aq më shumë rritet edhe cilësia e projekteve. Vitin e shkuar nga 400 aplikime janë financuar për produkte shkencore 182 prej tyre.
/rtsh.al/