Rritet niveli i ujit në lumin Lana pranë pallatit me shigjeta

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut që vijojnë në kryeqytet kanë rritur nivelin e ujit të lumit Lana në segmentin pranë pallatit me shigjeta.
Ndërsa në Tiranë vijojnë reshje të pandërprera të shiut, autoritetet e bashkisë po marrin masa për të parandaluar situata problematike.
Kështu, ekipet e bashkisë nën drejtimin e nënkryetarit Ilir Mëngra ndodhen pranë Pallatit me Shigjeta, ku po ndjekin çdo situatë që mund të krijohet nga rritja e mëtejshme e nivelit të ujit.
Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte në terren për monitorimin e situatës.
Aktualisht, Lana ka arritur deri në pjesën e lulishtes, ndërsa ekziston rreziku që uji të dalë edhe në rrugë, nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet.
Kjo zonë është dhe pika më delikate e Lanës pasi në këtë segment pranë Pallatit me Shigjeta edhe ka dalë disa herë nga shtrati në vitet e kaluara, gjatë episodeve me reshje intensive shiu.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin vetëm informacionet zyrtare deri në përmirësimin e situatës.
Pavarësisht rritjes së nivelit të ujit, në Tiranë deri tani nuk ka raportime për përmbytje, dëme materiale apo bllokime të qarkullimit rrugor.
/m.q/j.p/