E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet trafiku në Kukës, fluksi i emigrantëve rëndon qarkullimin në akset kryesore

Qarkullimi rrugor në Kukës është shtuar ndjeshëm veçanërisht në rrugët kryesore, por edhe në hyrjedaljet e qytetit.Fluksi i automjeteve është shtuar me ardhjen e emigrantëve, duke rënduar trafikun, por edhe duke bërë lëvizje më të ngadalta.

Shefi i Qarkullimit Rrugor thotë se prurjet e shtuara të automjeteve, veçanërisht në hyrje-daljet e qytetit dhe në akset që lidhin Kukësin me zonat e tjera, kanë bërë që trafiku të jetë më i dendur se zakonisht.

“Nga ana jonë është vepruar sipas planit të masave të hartuar nga departamenti për sigurinë rrugore pranë Drejtorisë së Përgjithshme për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe shmangien e ngjarjeve rrugore për sezonin turistik të vitit 2026. Ka trafik të rënduar nga kthimi i emigrantëve për pushime, por nga ana jonë janë marrë masa me shërbime shtesë për menaxhimin e trafikut në bashkëpunim me patrullën e përgjithshme, forcën e posaçme Shqiponja dhe policinë bashkiake”, tha komisar Angjelin Zefi, Shef i Qarkullimit Rrugor Kukës.

Për të garantuar një qarkullim sa më të sigurt dhe për të shmangur bllokimet, strukturat e Qarkullimit Rrugor kanë shtuar monitorimin në pikat ku fluksi është më i lartë. Vëmendje e veçantë i kushtohet hyrje-daljeve të qytetit, akseve kryesore dhe menaxhimit të lëvizjes në oraret me ngarkesën më të madhe.

“Në të gjitha degëzimet e rrugëve ku ka trafik të rënduar janë marrë masat dhe nuk ka patur probleme për vijueshmërinë e trafikut. Ju bëj apel të gjithë drejtuesve të mjeteve të zbatojnë normat e sjelljes për të siguruar një trafik të rrjedhshëm dhe për të parandaluar ngjarjet rrugore”, thekson komisar Zefi.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të shmangin manovrat e rrezikshme, me qëllim që fluksi i lartë i automjeteve të përballohet pa incidente

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›