E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e çmimit të karburanteve – Autoriteti i Konkurrencës: Nuk tolerohen rritjet e pajustifikuara!

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka filluar një proces të gjerë monitorimi të tregut të karburanteve me shumicë dhe me pakicë, duke vendosur fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën vëzhgim.

Autoriteti paralajmëron se, në rast se konstatohet se luhatjet e çmimeve tejkalojnë masën e ndryshimeve të regjistruara në bursat ndërkombëtare, do të ndërmerren masa të menjëhershme në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Në deklaratë theksohet se çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit dhe zhvillimet gjeopolitike.

Për këtë arsye, pritet që luhatjet e çmimeve në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me ndryshimet në bursë.

Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë edhe rritje e shpejtë apo më e theksuar se sa ecuria e çmimeve ndërkombëtare, mund të konsiderohet si tregues i sjelljeve jo konkurruese.

Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si koordinimi i çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktika të bashkërenduara mes operatorëve.

Ky proces monitorimi synon të garantojë transparencë, funksionim të rregullt të tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmime të padrejta.

Autoriteti ka sqaruar se të gjitha procedurat e mundshme hetimore kryhen vetëm në zbatim të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, pa u ndërthurur me atributet e institucioneve të tjera ligjzbatuese.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›