E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulim i rrezikshëm në Selenicë, gjenden rreth 160 predha të Luftës së Dytë Botërore pranë urës së Vodicës

Rreth 160 predha artilerie, mbetje të pashpërthyera nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, janë zbuluar së fundmi në fshatin Vodicë, pjesë e Bashkisë Selenicë. Zbulimi i këtij arsenali të vjetër ushtarak u bë rastësisht gjatë punimeve infrastrukturore që po zhvillohen në zonë.

Sipas të dhënave nga vendngjarja, prania e municioneve u konstatua fillimisht nga mjetet e rënda të një firme ndërtimi, e cila ishte kontraktuar për të kryer punime gërmimi me qëllim ngritjen e urës së re të fshatit.

Menjëherë pas pikasjes së predhave të para, punëtorët kanë ndërprerë aktivitetin dhe kanë njoftuar autoritetet përkatëse për të shmangur çdo rrezik të mundshëm shpërthimi.

Për të menaxhuar këtë situatë me rrezikshmëri të lartë, zona është izoluar dhe në ndihmë janë thirrur forcat e specializuara. Prej dy ditësh, ekspertët e njësisë së Xhenios kanë ngritur një perimetër sigurie dhe po udhëheqin një operacion të detajuar për bonifikimin e territorit.

Procesi i identifikimit, nxjerrjes dhe largimit të sigurt të predhave kërkon një saktësi maksimale për shkak të vjetërsisë dhe gjendjes teknike të municioneve. Deri më tani, operacioni po vijon pa incidente, ndërsa predhat e sekuestruara pritet të transportohen drejt poligoneve të posaçme për t’u asgjësuar në mënyrë të kontrolluar.

Gjetja e municioneve të pashpërthyera nga Lufta e Dytë Botërore mbetet një fenomen jo i rrallë në Shqipëri, duke kërkuar kujdes dhe protokolle strikte, veçanërisht gjatë punimeve publike dhe ndërtimore. Punimet për urën e Vodicës pritet të rinisin vetëm pasi ekspertët e xhenios të certifikojnë pastrimin e plotë dhe të sigurt të gjithë zonës përreth.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›