Rritja e remitancave, Sulo: Emigrantët janë konsoliduar

Sipas të dhënave të Eurostat, remitancat drejt familjeve shqiptare kanë shënuar rritje të qëndrueshme, duke u bërë një burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Analisti Arion Sulo, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, tha se ky fenomen lidhet edhe me konsolidimin e emigrantëve jashtë vendit.
Ai theksoi se emigrantët shqiptarë jashtë vendit janë tashmë të konsoliduar në jetën profesionale, duke rritur standardin e tyre dhe duke fituar kualifikime më të larta. Megjithatë, ai shtoi se një tjetër arsye është edhe varfëria.
“Qëndrueshmëria e remitancave shpjegohet me tipologjinë e shqiptarëve dhe më gjerë, me Ballkanin. Kryesorja është edhe nga niveli i jetesës. Shtrenjtimi i jetës, mosrritja e pensioneve bën që pjesa më e margjinalizuar të ketë nevojë për ndihmë. Edhe emigrantët shqiptarë jashtë janë konsoliduar në punësimin e tyre, jetën e tyre profesionale, kanë rritur standardin, kanë marrë kualifikime më të mëdha në punë e tyre. Janë 2 breza apo 1 brez e gjysmë në punë. Problemi është që unë mendoj se është më shumë varfëria këtu, varfëria e shqiptarëve”, tha Analisti Arion Sulo.
/rtsh.al/