E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rritje taksash e më shumë varfëri”, Berisha kundër paketës fiskale, flet për largimin e demokratëve nga protesta

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar paketën e re fiskale të qeverisë, duke e cilësuar atë si një goditje për shtresat më të varfra, bizneset e vogla dhe shtresën e mesme. Sipas tij, rritja e taksave është bërë pa paralajmërim dhe pa konsultim me qytetarët.

Berisha pretendon se përmes kësaj pakete qeveria synon të rrisë të ardhurat në buxhet deri në 10 miliardë, por sipas tij, kjo do të sjellë më shumë vjedhje dhe varfërim për qytetarët. Ai iu referua edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke pretenduar se një pjesë e madhe e parave të buxhetit shpërdorohet.

Kreu i PD-së u ndal te ndryshimet e TVSH-së për produktet ushqimore, duke argumentuar se përfshirja e dyqaneve në fashën e TVSH-së do t’i detyrojë ato të rrisin çmimet me 6 për qind.

“Është një goditje e rëndë për më të varfrit sepse paketa që në aparencë do të ulë çmimet e ushqimeve bazë, në të vërtetë duke futur në fashën e TVSH të gjithë dyqanet, i detyron ato të rrisin me 6 përqind çmimet, i detyron shqiptarët të paguajnë 6 përqind më shumë se ç’paguajnë tani. Dhe ky është një akt shumë i papërgjegjshëm”.

Berisha tha se qeveria duhej të kishte vendosur një mekanizëm kompensimi për produktet bazë, ndërsa shtoi se ulja e TVSH-së për 52 mallra shoqërohet me rritjen e saj për mijëra produkte të tjera.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për rritjen e çmimeve në Shqipëri, duke pretenduar se ajo është më e lartë se në vendet e tjera dhe se po ecën me ritme më të shpejta se rritja e pagave. Sipas Berishës, një nga faktorët që ndikon në këtë situatë janë paratë e drogës, ndërsa akuzoi Bankën e Shqipërisë se po hedh në treg sasi të mëdha lekësh për të mbrojtur euron nga zhvlerësimi.

Kryedemokrati foli për protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Berisha tha se dhuna e ushtruar nga policia ndaj protestuesve ishte arsyeja e mobilizimit të demokratëve në mbështetje të studentëve. Ai theksoi se Partia Demokratike e ka mbështetur protestën studentore dhe se demokratët kanë qenë të pranishëm në tubime, si gjatë ditëve të javës, ashtu edhe në protestat kombëtare të së shtunave.

Kreu i PD-së u ndal edhe te incidentet e ndodhura gjatë protestës, kur disa deputetë të Partisë Demokratike u përzunë nga protestuesit. Berisha u shpreh se personat e përfshirë në këto incidente nuk përfaqësojnë protestën, por i cilësoi si “mashtrues”.

“Pra, në këto kushte, ne shpallëm se Partia Demokratike mbështet fuqimisht protestën studentore. Dhe mbron studentët. Besoj, keni konstatuar, se çdo ditë në protestë ka patur qindra e qindra demokratë, dhe çdo të shtunë protestë kombëtare ka patur mijëra e mijëra prej tyre.

Tani, ato incidente, ata nuk janë përfaqësues të protestës. Ata janë përfaqësues të zgjatimeve të protestës dhe unë po të doni ju, i kam këtu emër për emër po nuk ia vlen t’u tregoj se çfarë përfaqësojnë ata. Se janë gjithsej katër pesë mashtrues, ordinerë. Njëri thoshte Brava kryeministër, tjetri thoshte Rama është më i mirë se Berisha, çfarë tregonte se kishte dalë me mbrojtur Ramën në protestë”.

Berisha ritheksoi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestat, ndërsa akuzoi qeverinë për politikat fiskale dhe mënyrën e trajtimit të qytetarëve që kanë dalë në tubime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›