E Premte, 6 Nëntor 2026

“Rrugëtimi evropian i shqiptarëve është emigrimi” – Progres raporti, Alimehmeti: Shëndetësia, arsimi e siguria janë minuar! Cilat vende të BE e shohin si vlerë arrestimin e ish kreut të SHISH?

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Ilir Alimehmeti, komentoi progres raportin të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke përmendur moszbatimin e rekomandimeve të institucioneve evropiane nga Parlamenti shqiptar.

alimehmeti

Në një intervistë për News24, Alimehmeti solli si shembuj mosmarrjen në shqyrtim të kërkesës së evropianëve për moratorium mbi ligjin për ndërtimet në zonat e mbrojtura, kërkesën për rishikimin e ligjit për investitorët strategjikë, si dhe votimin e Reformës Territoriale, pavarësisht rekomandimeve të Këshillit të Evropës.

Alimehmeti u ndal edhe te emigrimi, duke e cilësuar atë si rrugëtimin real evropian të shqiptarëve. Sipas tij, integrimi në Bashkimin Evropian nuk duhet parë vetëm si bashkim gjeografik, por mbi të gjitha si bashkim demografik, ku qytetarët gëzojnë të drejta dhe shërbime bazike të garantuara nga shteti.

“Të erdhi një votim nga europarlamenti që tha se duhet moratorium për ligjin për ndërtimet në zonat e mbrojtura. Parlamenti s’e ka marrë në shqyrtim. Të erdhi një kërkesë për rishikim për ligjin e investitorëve strategjikë, parlamenti se ka futur në rend dite. Të erdhi KiE, një ditë para votohej Reforma Territoriale, nxori raportin e monitorimit të kartës evropiane për të drejtat lokale të pushtetit vendor në Shqipëri, i cili shumë qartë në një nga pikat thoshte se kjo reformë nuk duhet bërë në këtë mënyrë. Parlamenti të nesërmen e votoi. Pra, rrugëtimi dhe ajo që ne shohim dhe ajo që thuhet janë të ndryshme. Ne po shohim një rrugëtim evropian të shqiptarëve që është emigrimi. Bëhen evropianë përmes Rinasit.”, theksoi ai.

Ai theksoi se shëndetësia, arsimi dhe siguria janë tre sektorë thelbësorë që në Shqipëri mbeten të cenuar, duke shtuar se qytetarët përballen çdo ditë me mungesën e shërbimeve bazë që shteti ka detyrimin t’u garantojë.

“Si të flasim për koncepte shteti, ku shëndetësia arsimi e siguria janë të minuara. Shëndetësinë e vuajmë të gjithë. Për sigurinë, ça të themi kemi arrestuar drejtoreshën e SHISH. Nuk e di sa vende të BE e shohin këtë si vlerë? Jam i bindur se nuk ka. Kur ke një situatë të rrënuar, kanë sjellë dy shkresa në letër se ke dy aleatë politikë aty dhe të bëjnë një qokë. Realiteti shqiptar është nga dalja e atij progres raporti në atë daljen para një viti ikja e shqiptarëve është ndaluar? Apo vazhdon? Ideja e BE për mua nuk është bashkimi i gjeografisë, por i demografisë. Njerëzit janë tashmë evropian në vullnet, dëshirë e sjellje dhe kërkojnë të drejta bazike që të garanton BE. Disa shërbime që ke detyrë si shtet tua ofrosh dhe nuk ua ofron.”, shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›