Ruajtja e privatësisë në epokën digjitale, rreziku nga përdorimi ’’pa fre’’ i platformave online

Në vrullin e zhvillimeve të mëdha teknologjike, përdorimi “pa fre” i shumë prej platformave online rrit rrezikun e cenimit të privatësisë.
Mbrojtja e të dhënave personale kërkon kujdes të shtuar, ndaj nisma nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me takimet në shkolla dhe ngjitjen e posterave, synon rritjen e ndërgjegjësimit mbi pasojat.
“Nuk i përdor të gjitha rrjetet sociale. Kam dhënë adresë emaili, por paraprakisht jam konsultuar me prindërit”, shprehet nxënësja.
“Nuk më pëlqen të dal në rrjete sociale, sepse shumë hakërrues mund ta përdorin fotografinë”, shprehet nxënësi.
Më të rriturit tregojnë disa nga metodat më të shpeshta që përdorin për t’iu shmangur rrezikut, ndërsa një pjesë prej tyre rrjetet sociale i përdorin për qëllime të vlefshme.
Në një bashkëbisedim me nxënës të “Shkollës së Kuqe” në Tiranë, Komisioneri Besnik Dervishi thotë se ruajtja e privatësisë është një kulturë që duhet zhvilluar.
“Kulturë që, për hir të së vërtetës, është një kulturë që ka munguar. Nuk ka më asnjë arsye që të mos ta zhvillojmë, ta forcojmë dhe ta rrisim, veçanërisht për brezat e rinj”, tha Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Kjo fushatë sensibilizuese përfshin një sërë aktorësh bashkë, ndërsa rastet e bullizmit, i cili nis online, mbeten më të raportuarat në shkolla.
“Në të njëjtën kohë, shërben edhe si një thirrje për institucionet, organizatat dhe kompanitë në lidhje me përgjegjshmërinë që ata duhet të tregojnë për përpunim të sigurt të të dhënave personale”, tha Pjerina Mema, Drejtoreshë e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
“Vazhdimisht kemi seminare informuese, kemi takime me fokus grupe. Po ashtu, në fillim të vitit marrim gjithmonë pëlqimin e prindërve që lejojnë apo jo që fëmija të ekspozohet në ambientet e shkollës”, tha Majlinda Ziu, Drejtoreshë e shkollës së mesme “Sami Frashëri”.
Sot, disa vende të Europës kanë miratuar projektligje për ndalimin e rrjeteve sociale nën moshën 16 vjeç. Rritja e ndërgjegjësimit nuk duhet të jetë thjesht një togfjalësh në teori, por një mekanizëm në veprim për minimizimin e risqeve.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/