Rumania qëndron pro perëndimore, kryetari i Bukureshtit mposht në garën presidenciale rivalin e ekstremit të djathtë

Balotazhi presidencial i zhvilluar në Rumani solli një rezultat që mund të ndikojë thellë në kursin politik të vendit.
Kryetari i Bukureshtit, Nicusor Dan, ka arritur një fitore të ngushtë ndaj rivalit të tij ultranacionalist.
Ai ka siguruar më shumë se 53.6 përqind të votave, kundrejt 46.4 për qind të George Simionit.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rekord, duke arritur më shumë se 64 përqind, që do të thotë rreth 11.6 milionë qytetarë të Rumanisë, brenda dhe jashtë vendit, kanë shprehur vullnetin e tyre.
Ky rezultat ka ardhur pas një periudhe tensioni të theksuar, ku akuzat për ndërhyrje ruse në fushatë kishin ngritur shqetësime të mëdha në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor.
Në orët e para të kësaj të hëne Nicusor Dan ka shpallur fitoren, duke falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen e dhënë.
“Kjo është fitorja e juaj, e mijëra e mijëra njerëzve që besuan se Rumania mund të ndryshojë. Mos e harroni këtë forcë, sepse kemi ende punë për të bërë” tha Dan.
Përballë humbjes, George Simion, i cili udhëhoqi në raundin e parë të zgjedhjeve, ka pranuar rezultatin dhe ka uruar kundërshtarin për fitoren. Ai theksoi se ky ishte vullneti i popullit rumun, duke minimizuar çdo mundësi për një përplasje pas zgjedhjeve.
“Jam krenar për ju dhe e përgëzoj kundërshtarin tim për fitoren,” shkroi Simion në një postim në Facebook.
Në këtë balotazh, gjithashtu u bë e qartë ndarja ideologjike mes dy kandidatëve. Dan ka qenë një mbështetës i fortë i Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve të ngushta me shtetet perëndimore, ndërsa Simion është kritikuar për qasjen e tij skeptike ndaj BE-së dhe qëndrimin ndaj Ukrainës.
Në këtë kontekst, ky rezultat ka shënuar një moment të rëndësishëm për politikën rumune, duke theksuar se qytetarët kanë bërë zgjedhjen për të mbajtur Rumaninë në kursin e saj pro-perëndimor.
Fitorja e Dan, si dhe prania e lartë e votuesve, janë mesazhe të forta për stabilitetin dhe orientimin e vendit në një periudhë të pasigurisë ndërkombëtare.
Një tjetër element i rëndësishëm është fakti që ky rezultat mund të ketë pasoja të mëdha për politikën e brendshme dhe të jashtme të Rumanisë, pasi një administratë e Dan mund të forcojë më tej marrëdhëniet me aleatët e BE-së dhe mund të sjellë një rritje të mbështetjes për nismat e reja ekonomike dhe politike./vizionplus.tv