Ryanair shqyrton ngrirjen e pagave dhe reduktimin e ekuipazhit në fluturime, shkak rritja e kostove të karburantit
Kompania ajrore Ryanair po shqyrton mundësinë e ngrirjes së pagave të punonjësve, në një kohë kur po përpiqet të përballojë rritjen e kostove të karburantit, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, ky vendim pritet të sjellë përplasje me sindikatat, raporton gazeta britanike “The Guardian”.
Përveç ngrirjes së pagave, kompania ajrore po shqyrton edhe mundësinë e reduktimit të numrit të anëtarëve të ekuipazhit në fluturime, si dhe rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale, në kuadër të një plani për uljen e shpenzimeve.
Ryanair, kompania më e madhe ajrore me kosto të ulët në Evropë, deklaroi se pret që kompanitë ajrore evropiane të rrisin çmimet e biletave deri në 20%. Ndërkohë, kostot e karburantit për avionët e saj parashikohet të rriten me rreth 2 miliardë euro gjatë vitit të ardhshëm financiar, i cili përfundon në mars 2028.
“Megjithëse besojmë se çmimet e biletave për fluturimet me distanca të shkurtra në Evropë do të rriten ndjeshëm, për të reflektuar çmimet shumë më të larta të karburantit dhe reduktimin e kapaciteteve nga konkurrentët, kjo nuk ka gjasa të kompensojë plotësisht rritjen e parashikuar prej 2 miliardë eurosh të kostove të karburantit”, deklaroi Michael O’Leary, drejtori ekzekutiv i Ryanair.
Kompania pret që çmimet e biletave për fluturimet me distanca të shkurtra në Evropë të rriten ndjeshëm gjatë vitit 2027, pasi të përfundojnë kontratat e mbrojtjes nga luhatjet e çmimeve të karburantit, të cilat kompanitë ajrore i kanë lidhur për të kufizuar kostot.
Sipas O’Leary, Ryanair po rishikon të gjitha shpenzimet në të gjithë grupin, me fokus të veçantë te negociatat për uljen e tarifave aeroportuale, kontratat e punës që po përfundojnë dhe që mund të kërkojnë një ngrirje të përkohshme të pagave, reduktimi i numrit të anëtarëve të ekuipazhit dhe përdorimi më i gjerë i inteligjencës artificiale.
Disa marrëveshje që lidhen me pagat pritet të rishikohen duke nisur nga muaji mars.
Nga ana tjetër, sindikata thekson se ekziston një marrëveshje shumëvjeçare që mbulon edhe vitin 2027, e cila nuk lidhet dhe nuk varet nga performanca financiare e kompanisë.
Ryanair raportoi fitime pas taksave prej 1.61 miliardë eurosh për tremujorin që përfundoi në shtator, me një rënie prej 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, rezultati ishte në përputhje me pritshmëritë e analistëve.
Numri i pasagjerëve u rrit me 5% në bazë vjetore, duke arritur në 64.5 milionë gjatë këtij tremujori.
Gjatë dy viteve të fundit, Ryanair ka marrë në dorëzim rreth 30 avionë në vit, por ritmi i dorëzimeve pritet të përgjysmohet në 15 avionë në vit gjatë viteve të ardhshme.
Kompania njoftoi gjithashtu se në muajin janar do të marrë në dorëzim avionët Boeing 737 MAX 10, të cilët kanë rreth 20% më shumë vende për pasagjerë, ndërsa konsumojnë 20% më pak karburant krahasuar me flotën aktuale të kompanisë.