SHBA – Administrata Trump po shqyrton për shkelje të 55 milionë të huajt me viza amerikane

UASHINGTON, 22 gusht /ATSH/ – Administrata Trump tha se po shqyrton më shumë se 55 milionë persona, që kanë viza të vlefshme amerikane, për çdo shkelje që mund të çojë në deportim, pjesë e një goditjeje në rritje ndaj të huajve që lejohen të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, sipas AP.
Në një përgjigje me shkrim ndaj një pyetjeje nga ”The Associated Press”, Departamenti i Shtetit tha se të gjithë mbajtësit e vizave amerikane, të cilët mund të përfshijnë turistë nga shumë vende, i nënshtrohen “verifikimit të vazhdueshëm”, me qëllimin se ata mund të mos jenë të kualifikuar për leje për të hyrë ose qëndruar në Shtetet e Bashkuara.
Nëse gjendet një informacion i tillë, viza do të revokohet, dhe nëse mbajtësi i vizës është në Shtetet e Bashkuara, ai ose ajo do t’i nënshtrohet deportimit.
Që kur presidenti Donald Trump mori detyrën, administrata e tij është përqendruar në deportimin e migrantëve ilegalë në Shtetet e Bashkuara.
Gjuha e re e Departamentit të Shtetit sugjeron që procesi i vazhdueshëm i verifikimit, të cilin zyrtarët e pranojnë se kërkon shumë kohë, është shumë më i përhapur dhe mund të nënkuptojë që edhe ata që janë miratuar për të qëndruar në SHBA mund t’u revokohen menjëherë këto leje.
Vitin e kaluar, sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, në SHBA kishte 12,8 milionë mbajtës të kartës së gjelbër dhe 3,6 milionë njerëz me viza të përkohshme.
”Shifra prej 55 milionësh sugjeron që disa njerëz që i nënshtrohen rishikimit aktualisht do të jenë jashtë Shteteve të Bashkuara me viza turistike me shumë hyrje”, tha Julia Gelatt, drejtoreshë e asociuar e programit të politikës së imigracionit në Institutin e Politikave të Migracionit.
Ajo vuri në dyshim vlerën e shpenzimit të burimeve për njerëzit që mund të mos kthehen kurrë në Shtetet e Bashkuara.
Departamenti i Shtetit tha se po kërkonte tregues të papranueshmërisë, duke përfshirë njerëzit që qëndrojnë përtej afatit kohor të autorizuar të përcaktuar në një vizë, aktivitetin kriminal, kërcënimet për sigurinë publike, përfshirjen në çdo formë aktiviteti terrorist ose ofrimin e mbështetjes për një organizatë terroriste.
”Ne shqyrtojmë të gjithë informacionin e disponueshëm si pjesë e verifikimit tonë, duke përfshirë të dhënat e zbatimit të ligjit ose të imigracionit ose çdo informacion tjetër që del në dritë pas lëshimit të vizës që tregon një papranueshmëri të mundshme”, tha departamenti./ a.jor.